Disa javë pasi Shqipëria mbylli provizorisht tre kapitujt e parë të negociatave dhe Bashkimi Evropian e përshkroi këtë si hyrjen në një “fazë të re”, debati mbi zgjerimin po lëviz drejt një pyetjeje tjetër: jo vetëm sa shpejt mund të avancojnë vendet kandidate, por edhe me çfarë garancish do të hyjnë anëtarët e ardhshëm në BE.
Kjo çështje do të jetë në tryezën e takimit informal të ministrave për Çështjet Evropiane, që zhvillohet më 3 dhe 4 shtator në Dublin, nën Presidencën irlandeze të Këshillit të BE-së.
Zgjerimi është një nga tre temat kryesore të takimit, së bashku me buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit dhe mbrojtjen e demokracisë evropiane.
Për Shqipërinë, momenti është domethënës. Në korrik, Tirana kaloi për herë të parë nga hapja te mbyllja provizore e kapitujve, duke përfunduar tre prej tyre: Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, e përshkroi atëherë zhvillimin si hyrjen e Shqipërisë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit.
Takimi i Dublinit tregon se edhe vetë debati evropian mbi zgjerimin po hyn në një fazë tjetër.
Më 4 shtator, ministrave të vendeve të BE-së do t’u bashkohen përfaqësues nga nëntë vende kandidate dhe potencialisht kandidate. Diskutimi i parë do të fokusohet te kapacitetet administrative që u duhen këtyre vendeve për t’u përafruar më shpejt me kërkesat e anëtarësimit.
Por diskutimi që pason shkon përtej mekanikës së negociatave.
Ministrat e BE-së dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, do të shqyrtojnë garancitë që mund të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Bisedimet zhvillohen përpara një diskutimi strategjik mbi zgjerimin që pritet në Këshillin Evropian në tetor.
Dokumenti i Presidencës irlandeze nuk specifikon se çfarë forme do të marrin këto garanci.
Por vetë vendosja e tyre në agjendë është e rëndësishme për vendet që po avancojnë në negociata: debati po fillon të prekë jo vetëm përmbushjen e kushteve për anëtarësim, por edhe arkitekturën me të cilën zgjerimi i ardhshëm do të menaxhohet nga vetë Bashkimi.
Për Shqipërinë, kjo vjen në një moment kur ritmi i negociatave është përshpejtuar ndjeshëm. Mbyllja e tre kapitujve në korrik shënoi kalimin nga një proces i përqendruar te hapja e dosjeve negociuese drejt fazës ku rezultatet duhet të përkthehen në mbylljen e tyre.
Por ky përshpejtim nuk e zbeh peshën e reformave më të vështira. Në korrik, Byrne veçoi sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit si fusha ku reformat duhet të vazhdojnë, duke i cilësuar ato themelin e procesit të zgjerimit.
Dublini, në këtë kuptim, shënon një kthesë interesante. Shqipëria duhet të provojë se mund t’i mbyllë kapitujt; BE-ja po fillon të diskutojë se si do ta mbrojë funksionimin e Unionit kur kandidatët e sotëm të bëhen anëtarët e nesërm.
Dhe pikërisht ky është tensioni që do të shoqërojë fazën e ardhshme të zgjerimit: ndërsa kandidatëve u kërkohet të bëhen gati për BE-në, edhe BE-ja po kërkon mënyrën se si të bëhet gati për ta.

