Zv.drejtori Shenasi Toçi: Të diplomuarit e „Sport dhe shkenca sportive“ në UNT mund të punësohen si mësimdhënës

2 Min. Leximi

Të diplomuarit në programin studimor „Sport dhe shkenca sportive“ në Universitetin „Nënë Tereza“ në Shkup tashmë kanë mundësi të reja për angazhim profesional në sistemin arsimor.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Shenasi Toçi, duke theksuar se, pas angazhimit të Byrosë dhe bashkëpunimit me stafin akademik të UNT-së, është plotësuar normativi për kuadrin mësimor në programet përkatëse të arsimit fillor dhe të mesëm.

„Të diplomuarit në programin ‘Sport dhe shkenca sportive’, të cilët fitojnë titullin profesor i diplomuar i kineziologjisë së aplikuar (240 SETK), tashmë kanë mundësi të angazhohen si mësimdhënës të lëndës Arsimi fizik dhe shëndetësor në arsimin fillor, si dhe të lëndës Sport dhe aktivitete sportive në arsimin e mesëm“, ka deklaruar Toçi.

Ndryshimet dhe plotësimet e programeve mësimore janë miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të propozimit të dorëzuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit.

Sipas Toçit, ky vendim paraqet një mundësi të rëndësishme për të rinjtë që zgjedhin këtë drejtim studimi, duke krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë mes arsimit të lartë dhe mundësive për punësim.

„Ky është një hap i rëndësishëm në zgjerimin e mundësive profesionale për të diplomuarit e këtij programi dhe një informacion me rëndësi për të rinjtë që këto ditë po bëjnë zgjedhjen e tyre për studimet universitare. Kompetencat e fituara përmes arsimit të lartë duhet të gjejnë zbatim konkret në sistemin arsimor“, theksoi zëvendësdrejtori Shenasi Toçi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull