Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva vdekjeprurëse e Izraelit kundër Rripit të Gazës u rrit në 28.576 që nga 7 tetori. Po ashtu, ministria thotë se teksa sulmi kundër Gazës hyn në ditën e tij të 131-të, numri i palestinezëve të plagosur është rritur në 68.291 njerëz, shkruan AA.
Në deklaratë theksohet se në 24 orët e fundit, ushtria izraelite kreu 11 masakra në gjithë Rripin e Gazës, në të cilat lanë të vrarë 103 persona dhe 145 të tjerë të plagosur.
“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë, ndërsa ekipet e shpëtimit nuk mund t’i arrijnë ata”, shtoi ai.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor, në të cilin autoritetet izraelite thonë se janë vrarë afro 1.200 izraelitë.
Mbështetur në të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e 85 për qind të popullsisë brenda enklavës. Palestinezët në Gaza për shumë se katër muaj ballafaqohen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Gjithashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm këtë janar urdhëroi Tel Avivi të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.