Berat Jakupi ka reaguar ashpër pas njoftimit se i janë ulur orët e punës, duke e cilësuar vendimin si të pakuptimtë, veçanërisht në një kohë kur, sipas tij, në Komunën e Gostivarit ka mungesë të kuadrit në lëndën e edukimit fizik.
Jakupi thotë se për pesë vite ka punuar në mënyrë të pandërprerë me fond të plotë, ndërsa tani papritur i janë shkurtuar orët.
“Pas 5 vitesh punë të pandërprerë me fond të plotë, papritur vendoset që orët e mia të shkurtohen. Në Komunën e Gostivarit ka mungesë të kuadrit në lëndën e edukimit fizik, ndërsa mua më ulen orët. Si shpjegohet kjo?”, shprehet Jakupi.
Ai i drejtohet drejtpërdrejt Valbon Limanit, duke kërkuar që çdo qëndrim apo vendim ndaj tij të bëhet publik dhe të shoqërohet me përgjegjësi.
“Valbon, nëse kjo është mënyra jote për të më larguar nga puna apo për të më detyruar të dorëzohem, dije një gjë: ke zgjedhur njeriun e gabuar”, deklaron Jakupi.
Ai thotë se nuk do të lejojë që puna dhe e drejta e tij për të punuar të varen nga interesa politike apo personale.
“Unë jam Berat Jakupi. Nuk jam gjunjëzuar përballë presionit dhe nuk do të gjunjëzohem kurrë”, përfundon ai.

