Një nga problemet më të mëdha nuk gjendet vetëm në ministri, në programe apo në tekstet shkollore. Ai gjendet edhe në shtëpitë tona. Kur fëmija kthehet nga shkolla, cila është pyetja e parë? “Çfarë note more?” Shumë më rrallë dëgjon: “Çfarë mësove sot?” Edhe më rrallë: “Çfarë nuk kuptove?”
Nga Hasan BAFTIJARI
Shtatori ka një ritual që përsëritet çdo vit. Rrugët mbushen me nxënës, libraritë me prindër, rrjetet sociale me fotografi të fëmijëve në ditën e parë të shkollës. Blihen çanta të reja, fletore, lapsa, uniforma e pajisje. Prindërit urojnë njëri-tjetrin për fillimin e vitit shkollor, mësuesit rikthehen në klasa, ndërsa institucionet flasin për investime, reforma, digjitalizim dhe cilësi. Gjithçka duket sikur fillon nga e para. Por një pyetje mbetet pothuajse gjithmonë jashtë diskutimit: A fillon vërtet arsimi vetëm pse fillon viti shkollor?
Sepse shkolla mund t’i hapë dyert, ndërsa arsimi të vazhdojë të ketë probleme. Nxënësi mund të kalojë nga një klasë në tjetrën, ndërsa dija e tij të mos ecë me të njëjtin ritëm. Mund të ketë nota të larta dhe boshllëqe të mëdha. Mund të marrë diplomë, por të mos ketë fituar aftësinë për të menduar, për të argumentuar, për të dalluar informacionin nga manipulimi dhe, mbi të gjitha, për të marrë përgjegjësi.
Në fillim të një viti të ri shkollor nuk duhet të pyesim vetëm nëse kemi libra të mjaftueshëm, sa nxënës ka një klasë apo sa kompjuterë ka një shkollë. Duhet të bëjmë një pyetje shumë më të vështirë: Çfarë njeriu po prodhon sistemi ynë arsimor?
SHKOLLA NUK ËSHTË FABRIKË DIPLOMASH
Prej vitesh kemi krijuar një raport të çuditshëm me arsimin. Në vend që ta shohim dijen si proces formimi, shpesh e kemi kthyer në proces grumbullimi dokumentesh. Shkollë fillore. Shkollë e mesme. Fakultet. Master. Doktoraturë. Sa më shumë tituj, aq më i suksesshëm duket njeriu. Por diploma dëshmon se ke përfunduar një program. Nuk dëshmon automatikisht se ke mësuar të mendosh. Ky dallim është thelbësor.
Një shoqëri nuk bëhet e arsimuar vetëm duke rritur numrin e diplomave. Bëhet e arsimuar kur rrit nivelin e mendimit kritik, kulturën e komunikimit, përgjegjësinë profesionale, respektin për faktin dhe aftësinë për të pranuar se ndonjëherë nuk dimë. Nëse nxënësi mëson për provim dhe harron një javë pas provimit, kemi matur kujtesën afatshkurtër, jo domosdoshmërisht dijen. Nëse studenti pyet vetëm: “A bie kjo në provim?”, problemi nuk është vetëm te studenti. Është sinjal se diku e kemi bindur se qëllimi i të mësuarit është kalimi i provimit dhe jo kuptimi.
Kështu arsimi rrezikon të shndërrohet në një zinxhir formalitetesh: mëso – përgjigju – merr notën – harro – kalo më tej. Dhe pas shumë vitesh pyesim të habitur pse kemi diploma, por nuk kemi gjithmonë kompetencë.
NOTA ËSHTË BËRË MË E RËNDËSISHME SE DIJA
Një nga problemet më të mëdha nuk gjendet vetëm në ministri, në programe apo në tekstet shkollore. Ai gjendet edhe në shtëpitë tona. Kur fëmija kthehet nga shkolla, cila është pyetja e parë? “Çfarë note more?” Shumë më rrallë dëgjon: “Çfarë mësove sot?” Edhe më rrallë: “Çfarë nuk kuptove?”
Ky ndryshim i vogël në pyetje zbulon një problem të madh në mënyrën si e kuptojmë arsimin. Prindi dëshiron pesëshe. Fëmija dëshiron pesëshe. Shkolla përballet me presionin e pesësheve. Dhe ngadalë nota, e cila duhet të jetë vetëm instrument për vlerësimin e dijes, bëhet qëllim në vetvete.Kështu krijojmë paradoksin e nxënësit “të shkëlqyeshëm” që mund të ketë vështirësi të shprehë qartë një mendim të vetin.
Fëmijëve duhet t’u mësojmë se gabimi nuk është katastrofë. Të mos dish nuk është turp. Të pyesësh nuk është dobësi. Problemi fillon kur fëmija mëson të fshehë mosdijen vetëm për të ruajtur imazhin e nxënësit të mirë. Arsimi i shëndoshë duhet ta bëjë fëmijën kurioz, jo të frikësuar nga gabimi.
MËSUESI: PROFESION APO MISION?
Nuk mund të flasim seriozisht për arsimin pa folur për mësuesin. Mund të ndryshojmë programe, libra dhe teknologji, por në fund të gjitha këto hyjnë në një klasë ku përballë nxënësit qëndron një njeri. Dhe ai njeri mund ta bëjë një fëmijë ta dashurojë një lëndë për gjithë jetën. Ose ta urrejë atë. Prandaj cilësia e arsimit nuk mund të jetë më e lartë se cilësia profesionale dhe njerëzore e atyre që e bartin atë.
Mësuesi nuk është vetëm transmetues informacioni. Për informacion, nxënësi i sotëm ka në xhep një pajisje që brenda sekondash mund t’i japë më shumë të dhëna sesa mund të përmbajë një tekst shkollor. Roli i mësuesit sot është shumë më kompleks. Ai duhet ta mësojë nxënësin si të mendojë, jo vetëm çfarë të mbajë mend. Ta mësojë si të bëjë pyetje. Si të kontrollojë burimin. Si të dallojë argumentin nga zhurma. Si të diskutojë pa ofenduar. Si të mos e konsiderojë çdo gjë që shfaqet në ekran si të vërtetë. Kjo kërkon mësues që vazhdon të mësojë edhe pasi ka marrë diplomën e vet. Një mësues që ka pushuar së mësuari, vështirë se mund të krijojë nxënës që duan të mësojnë.
Por këtu duhet të jemi të drejtë edhe ndaj mësuesit. Shoqëria nuk mund t’i kërkojë mësuesit të jetë edukator, psikolog, pedagog, administrator, motivues dhe model shoqëror, ndërsa njëkohësisht t’ia dobësojë autoritetin, ta mbingarkojë me burokraci dhe ta lërë vetëm përballë problemeve që familja dhe shoqëria nuk kanë arritur t’i zgjidhin. Mësuesi duhet të mbajë përgjegjësi, por duhet të ketë edhe autoritetin dhe mbështetjen për ta ushtruar atë përgjegjësi.
PRINDI NUK MUND TA DELEGOJË EDUKIMIN
Ekziston edhe një keqkuptim tjetër: bindja se kur fëmija hyn në shkollë, edukimi i tij bëhet punë e shkollës. Jo. Shkolla arsimon, edukon dhe socializon, por nuk mund ta zëvendësojë familjen. Një mësues mund të ketë njëzet, njëzet e pesë apo tridhjetë nxënës përpara. Prindi ka një përgjegjësi tjetër dhe një ndikim që asnjë institucion nuk mund ta kopjojë plotësisht.
Nëse në shtëpi fëmija dëgjon se mësuesi nuk vlen, shkolla nuk vlen, libri nuk vlen dhe suksesi arrihet me lidhje e jo me punë, nuk mund të presim që pesë orë mësimi në ditë ta korrigjojnë lehtë atë mesazh. Fëmijët nuk edukohen vetëm me këshillat që ua japim. Ata edukohen edhe duke na parë. Nuk mund t’i themi fëmijës “lexo”, ndërsa ai nuk na sheh kurrë me libër në dorë. Nuk mund t’i kërkojmë respekt për mësuesin, ndërsa ne e poshtërojmë mësuesin para tij. Nuk mund t’i kërkojmë ndershmëri në provim, ndërsa i mësojmë se çdo pengesë në jetë zgjidhet duke gjetur “dikë”.
Prindi që çdo herë e mbron fëmijën edhe kur fëmija gabon mendon se po e ndihmon. Në realitet mund t’i jetë duke i dhënë një nga mësimet më të rrezikshme: se për veprimet e tij gjithmonë do të jetë fajtor dikush tjetër. Dhe pastaj habitemi kur një brez e ka të vështirë të marrë përgjegjësi.
NJË BREZ QË LEXON SHUMË, POR JO DOMOSDOSHMËRISHT LIBRA
Thuhet shpesh se të rinjtë nuk lexojnë. Ndoshta formulimi nuk është krejt i saktë. Ata lexojnë gjatë gjithë ditës. Lexojnë mesazhe. Tituj. Komente. Postime. Njoftime. Përshkrime videosh. Qindra fragmente informacioni kalojnë para syve të tyre çdo ditë. Problemi është se leximi i fragmentuar nuk është domosdoshmërisht lexim i thellë. Ne kemi hyrë në një kohë ku informacioni është bërë jashtëzakonisht i lirë, ndërsa vëmendja jashtëzakonisht e shtrenjtë.
Nxënësi duhet të konkurrojë me telefonin e vet. Mësuesi duhet të konkurrojë me videon pesëmbëdhjetë sekondëshe. Libri duhet të konkurrojë me algoritmin. Dhe algoritmi ka një avantazh të madh: ai nuk kërkon durim. Libri kërkon. Prandaj një nga betejat më të mëdha të arsimit modern nuk është vetëm t’i japë fëmijës informacion. Është t’ia rikthejë aftësinë për t’u përqendruar. Të qëndrojë me një tekst. Ta lexojë. Ta kuptojë. Ta kundërshtojë. Ta analizojë. Të ndërtojë mendimin e vet.
Në epokën e inteligjencës artificiale kjo bëhet edhe më e rëndësishme. Kur një makinë mund të prodhojë brenda sekondash një përgjigje, një ese apo një përmbledhje, vlera e arsimit nuk mund të mbetet vetëm te prodhimi i përgjigjes. Pyetja bëhet: A e kupton nxënësi përgjigjen që ka përpara? A di ta verifikojë? A di të dallojë kur është e gabuar? A ka mendim të vetin? Teknologjia nuk e bën shkollën të panevojshme. Përkundrazi, e bën mendimin edhe më të nevojshëm.
TË LEXOSH BOTËN, POR EDHE NJERIUN
Në historinë e qytetërimit tonë ekziston një formulim i jashtëzakonshëm: urdhri “Lexo!” Por formulimi vazhdon: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi… e krijoi njeriun…”. Edhe nëse këtë mesazh e lexojmë përtej dimensionit strikt fetar, ai ngre një pyetje të fuqishme pedagogjike: A po e mësojmë njeriun vetëm të lexojë libra, apo edhe ta lexojë njeriun?
Sepse mund të njohësh matematikën dhe të mos njohësh përgjegjësinë. Mund të njohësh gjuhë të huaja dhe të mos dish të komunikosh me respekt. Mund të njohësh teknologjinë dhe të mos dish kufirin etik të përdorimit të saj. Mund të kesh shumë informacion për botën dhe shumë pak vetëdije për veten.
Arsimi nuk mund të kufizohet në transferimin e informacionit nga libri te memoria. Duhet të formojë njeriun që do ta përdorë atë informacion. Këtu qëndron ndoshta pyetja më serioze e çdo sistemi arsimor: Jo vetëm çfarë di nxënësi ynë, por çfarë do të bëjë me atë që di?
REFORMA NUK FILLOHET VETËM NGA MINISTRIA
Sa herë flasim për problemet e arsimit, gishti drejtohet nga institucionet. Dhe institucionet kanë përgjegjësi të madhe. Duhet programe cilësore, tekste të mira, kushte të përshtatshme, përzgjedhje profesionale, trajnim të mësuesve, standarde dhe vlerësim real të rezultateve.
Por reforma arsimore nuk bëhet vetëm me një dokument të ri. Nëse ndryshon programi, por nuk ndryshon kultura, kemi ndryshuar letrën. Nëse mësuesi nuk përgatitet, prindi nuk bashkëpunon dhe nxënësi mëson vetëm për notë, as programi më modern nuk bën mrekulli.
Arsimi është një marrëveshje e heshtur mes shtetit, shkollës, mësuesit, familjes dhe nxënësit. Nëse njëra palë heq dorë nga përgjegjësia, barrën e marrin të tjerat. Nëse të gjitha ia hedhin fajin njëra-tjetrës, humbësi është fëmija.
NË VEND TË URIMIT
Në fillim të këtij viti shkollor, ndoshta nuk na duhet vetëm urimi tradicional: “Suksese në vitin e ri shkollor!” Na duhet edhe një zotim. Që mësuesi të hyjë në klasë duke e ditur se përpara tij nuk ka vetëm numra në ditar, por njerëz në formim. Që prindi të kuptojë se pesëshja nuk është më e rëndësishme se ndershmëria e fëmijës. Që nxënësi të kuptojë se shkolla nuk është dënim që duhet kaluar, por mundësi që duhet shfrytëzuar.
Që institucionet të kuptojnë se reforma nuk matet me numrin e konferencave dhe dokumenteve, por me atë që realisht ndodh në klasë.
Dhe që si shoqëri të kuptojmë se nuk mjafton të kemi njerëz që dinë të lexojnë. Na duhen njerëz që kuptojnë atë që lexojnë, mendojnë për atë që kuptojnë dhe mbajnë përgjegjësi për atë që bëjnë me dijen e tyre. Sepse pyetja e vërtetë në shtator nuk është vetëm: Sa fëmijë u ulën sot në bankat shkollore? Pyetja është: Çfarë njerëzish do të ngrihen nga ato banka pas dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh? Pikërisht aty matet suksesi i arsimit. Jo vetëm te nota. Jo vetëm te diploma. Jo vetëm te statistika. Te njeriu. (koha.mk)

