Diskutimet mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit duket se kanë hyrë në një fazë më konkrete, ndërsa në skenë ka dalë edhe një emër nga fusha e drejtësisë dhe diplomacisë.
Sipas raportimeve të deritanishme, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, është një nga emrat rreth të cilit Kurti dhe Abdixhiku kanë shprehur pajtim në parim.
Një dakordim i tillë raportohet se është arritur gjatë takimit të parafundit mes dy liderëve politikë, të zhvilluar të mërkurën, megjithëse deri tani asnjëra palë nuk ka konfirmuar publikisht se Sejdiu është kandidati përfundimtar.
Kurti dhe Abdixhiku zhvilluan një tjetër takim edhe të shtunën mbrëma. Takimi ishte i paparalajmëruar, ndërsa pas tij nuk u dhanë hollësi konkrete për temat e diskutuara apo për ndonjë marrëveshje eventuale.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për juve”, deklaroi shkurt Kurti pas përfundimit të takimit.
Kjo deklaratë ka lënë të hapur mundësinë që negociatat mes dy palëve të vazhdojnë dhe se çështja e kandidatit për president ende nuk është mbyllur përfundimisht.
Në këtë kontekst, emri i Bekim Sejdiut po përmendet si një mundësi rreth së cilës mund të kërkohet një mbështetje më e gjerë politike në Kuvend.
Megjithatë, në mungesë të një deklarimi zyrtar nga Kurti, Abdixhiku apo vetë Sejdiu, kandidatura e tij mbetet në nivelin e raportimeve dhe të një dakordimi të pretenduar në parim.
Kush është Bekim Sejdiu?
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe jetën akademike.
Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa më herët ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik të vendit.
Sejdiu ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi gjatë viteve 2008-2012, ndërsa nga viti 2012 deri më 2014 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.
Para angazhimeve diplomatike, ai kishte shërbyer edhe si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Sejdiu është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2002.
Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa arsimimin e ka vazhduar me studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare, demokraci dhe të drejta të njeriut. Ai ka përfunduar edhe studimet e doktoratës në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.

Fotoilustrim: Albin Kurti, Bekim Sejdiu dhe Lumir Abdixhiku – emri i ish-gjyqtarit kushtetues po përmendet në raportimet për bisedimet rreth kandidatit të mundshëm për president.
Çfarë nevojitet për zgjedhjen e presidentit?
Zgjedhja e presidentit bëhet në Kuvendin e Kosovës.
Në dy rundet e para, për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht 80 vota.
Nëse asnjë kandidat nuk e siguron këtë mbështetje, procedura kalon në rundin e tretë, ku për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 61 vota.
Pikërisht sigurimi i mbështetjes së nevojshme parlamentare mbetet një nga çështjet kryesore të negociatave politike, ndërsa pritet të shihet nëse emri i Bekim Sejdiut do të marrë formën e një kandidature zyrtare apo në diskutime do të dalin edhe alternativa të tjera.

