Drejtoria e Policisë Financiare, përmes një njoftimi të transmetuar nga disa media, informoi se ka hapur një rast dhe po shqyrton pretendimet për hyrje të mundshme të kapitalit të dyshimtë në hapësirën mediatike të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.
Njoftimi i Policisë Financiare vjen pasi opozitarja Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) publikisht kërkoi nga institucionet kompetente që të hetojnë dyshimet për, siç deklaroi sot zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzheska, hyrjen e „makinerisë mediatike serbe“ në vend.
Nga Policia Financiare thonë se po shqyrtojnë të gjitha indiciet dhe informacionet e bëra publike, ndërsa në njoftim theksojnë se Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), bazuar në veprimet e institucioneve, e ka ndalur procedurën për ndryshimin e strukturës së pronësisë së një televizioni dhe një radioje.
„Lidhur me pretendimet e paraqitura nga LSDM-ja për hyrjen e pretenduar të kapitalit të dyshimtë dhe blerjen e një televizioni, informojmë opinionin se Administrata e Policisë Financiare po vepron në kuadër të një rasti dhe po shqyrton të gjitha indiciet dhe informacionet që janë bërë publike, ndërsa ASHMAA-ja, bazuar në veprimet e institucioneve, e ka ndalur procedurën për ndryshimin e strukturës së pronësisë së një televizioni dhe një radioje. Institucionet, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, po ndërmarrin veprimet e nevojshme për përcaktimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante“, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Nga atje bëjnë apel që të mos ketë spekulime dhe të mos dezinformohet publiku me informacione të paverifikuara dhe të pavërteta, pasi, siç shtojnë, institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin, me qëllim mbrojtjen e interesit publik.
Zëdhënësja e LSDM-së, Kuzheska, në një konferencë për media sot deklaroi se, duke anashkaluar ligjet, disa kanale për një periudhë më të gjatë po operojnë pa leje vendore, si dhe se i njëjti model po përgatitet edhe me „Euronews Maqedoni“ dhe hyrjen e grupacionit mediatik serb „Alo“ në vend.
Socialdemokratët nga Bihaçka akuzojnë më tej se me hyrjen e „Alta Bankës“ serbe në vend po krijohet një mekanizëm për ridrejtimin e mjeteve shtetërore drejt një banke të lidhur me financimin dhe ndikimin mbi mediat.
LSDM-ja kërkon të kontrollohet origjina dhe qarkullimi i parave, si dhe lidhja e mundshme me investimet në media.
Për momentin nuk janë bërë të ditura më shumë detaje për rastin e Policisë Financiare. Nuk dihet se kur është hapur ai, e as cili televizion dhe radio konkretisht janë përfshirë në procedurën e ndaluar nga ASHMAA-ja.
Ndërkohë, dje pesë televizionet, anëtare të Asociacionit të Mediave Maqedonase (AMM), dhe transmetuesi publik MRT dolën me pretendimin se kanalet televizive Arena M1, M2 dhe M3 Premium në vend operojnë pa lejet e nevojshme vendore, ndërsa Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele i trajton në mënyrë të parregullt si shërbime programore të huaja.
Nga ASHMAA-ja i hodhën poshtë këto pretendime dhe theksuan se nuk ka veprim të paligjshëm. Sipas rregullatorit, kanalet e përmendura trajtohen si shërbime programore të huaja, dhe jo si vendore, pasi sinjali i tyre burimor nuk transmetohet nga territori i Maqedonisë së Veriut.

