Ish-zëvendësministri i Transportit, Bekim Rexhepi, ka reaguar për fillimin e ndërtimit të fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë, duke akuzuar qeverinë VMRO-DPMNE–VLEN se po e prezanton si sukses një projekt që, sipas tij, është përgatitur në periudhën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, transmeton Zyrtare.net
Rexhepi thotë se projekti nuk nis nga zero në vitin 2026, pasi përgatitjet, projektimi, sigurimi i financimit dhe procedurat, sipas tij, janë zhvilluar më herët.
Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për koston e projektit. Sipas Rexhepit, për 10.5 kilometrat e autostradës kontrata e raportuar është rreth 222 milionë euro.
Ish-zëvendësministri rikujton se në tetor të vitit 2024, Qeveria dhe zyrtarë të saj e kishin kritikuar projektin, duke iu referuar një letre të kompanisë konsulente SUEZ, të datës 31 maj 2024. Sipas tij, atëherë ishte deklaruar se kostoja e projektit ishte rritur nga rreth 172 milionë në 240 milionë euro, ndërsa ishte paralajmëruar mundësia që ajo të arrinte deri në 300 milionë euro.
“Sot, i njëjti projekt prezantohet si sukses i Qeverisë. Nëse projekti është i njëjtë, çfarë ka ndryshuar?”, pyet Rexhepi.
Ai kërkon nga Qeveria të publikojë letrën e SUEZ-it, kontratën, koston përfundimtare dhe të gjitha ndryshimet në projekt e dokumentacion. Gjithashtu, kërkon sqarime nëse është zhvilluar ndonjë hetim për problemet e ngritura më herët dhe kush do të jenë nënkontraktorët.
Në fund, Rexhepi thotë se autostrada Shkup–Bllacë duhet të ndërtohet, por thekson se projekti “nuk lindi sot” dhe se, sipas tij, ka edhe “vulën e BDI-së”./zyrtare.net/

