Publikohet fotografia, oficeri i BIA-s dhe spiuni i dyshuar Fehim Sali në një nga takimet e tyre në Serbi

3 Min. Leximi
TV Dukagjini ka publikuar një fotografi ku shihet oficeri i Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), Zhelimir Matoviq, i cili dyshohet se ka qenë rekrutuesi i Fehim Salit, të arrestuar në Kosovë nën dyshimin për spiunazh. 

Në fotografi, Matoviq shihet së bashku me Salin gjatë njërit prej takimeve të tyre në Serbi.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Fehim Salit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.

Vendimi është marrë më 14 gusht nga gjyqtari i procedurës paraprake, Kushtrim Shyti, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktvendimit, paraburgimi do të llogaritet nga 13 gushti, kur Sali u arrestua, dhe do të zgjasë deri më 13 shtator 2026.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se Sali ka hyrë në shërbim të një shërbimi informativ të huaj, ka mbledhur të dhëna për të ose në forma të tjera ka ndihmuar veprimtarinë e tij.

Sipas aktvendimit, hetimi ndaj Salit ishte iniciuar pas një informacioni të pranuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) më 20 qershor 2025, lidhur me aktivitetin e tij të dyshuar dhe kontaktet me Shërbimin Informativ të Serbisë – BIA.

Gjykata ka thënë se Sali dyshohet se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Zhelimir Matoviqin, i njohur me nofkën “Zheljko”, të cilin AKI e ka identifikuar si zyrtar të BIA-s që nga viti 2002.

Sipas provave të paraqitura nga Prokuroria, Sali dyshohet se i ka ofruar Matoviqit informacione lidhur me situatën politike në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë veprime për identifikimin dhe fotografimin e zyrtarëve të AKI-së.

Po ashtu, ai dyshohet se ka ofruar të dhëna për persona të caktuar dhe ka propozuar persona si objektiva të mundshëm për kontaktim apo rekrutim nga BIA.

Në aktvendim përmendet edhe dyshimi se Sali ka ndërmjetësuar për çështje dhe dokumente të lidhura me institucionet e Serbisë, si dhe ka mbajtur kontakte me persona me ndikim politik dhe shoqëror në Kosovë dhe Serbi.

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale, ndërsa Sali do të qëndrojë në paraburgim deri më 13 shtator, sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull