Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar ashpër liderë të huaj, të cilët i akuzon se po shfrytëzojnë trazirat në Francë për qëllime politike dhe elektorale, duke lënë të kuptohet se kritikat e tij drejtohen ndaj Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut, pa i përmendur me emër.
Sipas gazetës franceze Le Figaro, Macron i bëri deklaratat gjatë një konference për shtyp në Doha, të mërkurën, ku foli për përpjekjet e dyshuara për manipulimin e informacionit nga jashtë, pas episodeve të dhunshme të ndodhura gjatë fundjavës në Francë.
“Ka pasur manipulim të huaj të informacionit, i cili ka çuar në komente po aq të papranueshme sa edhe të pamenduara nga shumë persona, përfshirë liderë të huaj”, deklaroi presidenti francez.
Macron pretendoi se disa politikanë po i përdorin ngjarjet në Francë si pjesë të përplasjeve të tyre elektorale, si në rajonin përreth, ashtu edhe përtej Atlantikut.
“Ka njerëz që bëjnë fushatë elektorale në kurriz të Francës, liderë që ndodhen në periudhë zgjedhore në rajon ose në anën tjetër të Atlantikut”, u shpreh ai.
Kreu i Elizesë paralajmëroi gjithashtu për përhapjen e informacioneve të paverifikuara dhe për përdorimin e inteligjencës artificiale në manipulimin e opinionit publik.
“Ndonjëherë, në mënyrë naive, ata përvetësojnë atë që shfaqet përmes inteligjencës artificiale ose përcjellin atë që qarqe të caktuara duan, padyshim, që njerëzit të besojnë”, shtoi Macron.
Deklaratat e presidentit francez vijnë në një kohë tensionesh pas incidenteve të dhunshme në Francë, ndërsa ai vuri në dukje rrezikun që ngjarje të tilla të përdoren për qëllime politike nga aktorë të huaj.

