Qyteti i Shkupit ka njoftuar se të martën, më 11 gusht, do të realizohet dezinsektimi ajror kundër larvave të mushkonjave në territorin e kryeqytetit. Sipas njoftimit të autoriteteve të qytetit, trajtimi do të kryhet në orët e hershme të mëngjesit dhe ka për qëllim uljen e numrit të larvave të mushkonjave, me çka synohet të parandalohet shumimi i mëtejshëm i tyre.
Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se realizimi i dezinsektimit do të varet nga kushtet atmosferike. Në rast se moti nuk lejon zhvillimin e trajtimit në termin e paraparë, ndërhyrja do të shtyhet për ditën e parë me kushte të përshtatshme, sërish në orët e hershme të mëngjesit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje bletarëve që me kohë të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e kolonive të bletëve gjatë kohës së realizimit të dezinsektimit.
Dezinsektimi është pjesë e aktiviteteve të Qytetit të Shkupit për kontrollin e numrit të mushkonjave në kryeqytet, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta dhe kushteve të favorshme për shumimin e tyre.

