Ka përfunduar ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit në rrugën “Faik Konica” (ish Dizhoni 15) në Komunën e Çairit, projekt i realizuar me mbështetje financiare nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 6,9 milionë denarësh.
Me rastin e përfundimit të punimeve, në terren inspektuan realizimin e projektit ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, dhe kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamet Murtezi.
Sipas Ministrisë, projekti është pjesë e aktiviteteve për rindërtimin dhe modernizimin e plotë të infrastrukturës komunale në lagjen Dizhoni, duke përfshirë rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Ministri Muhamet Hoxha theksoi se ndërtimi i një infrastrukture moderne komunale mbetet ndër prioritetet kryesore të institucionit.
“Sigurimi i një infrastrukture komunale moderne dhe të besueshme është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë. Këto projekte janë themeli i kthesës së gjelbër, sepse përmes tyre krijojmë kushte më të mira për jetesë dhe ndërtojmë sisteme që u përgjigjen nevojave të qytetarëve”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë të mbështesë komunat përmes investimeve në projekte infrastrukturore për furnizimin me ujë, menaxhimin e ujërave të zeza dhe ujërave atmosferike.
Sipas Ministrisë, qëllimi i këtyre investimeve është përmirësimi i mjedisit jetësor dhe rritja e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.

