Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, ka njoftuar se Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore.
Sipas tij, gjendja e krizës do të hyjë në fuqi më 1 gusht dhe do të zgjasë 30 ditë, ndërsa menjëherë do të aktivizohet Shtabi Kryesor pranë QMK-së.
“Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Gjendja e krizës do të zgjasë 30 ditë, duke filluar nga 1 gushti 2026.
Si drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza, informoj se menjëherë do të aktivizohet Shtabi Kryesor pranë QMK-së, i cili do të punojë në mënyrë të vazhdueshme 24/7 dhe do të koordinojë të gjitha institucionet kompetente për një reagim të shpejtë dhe efikas në terren.
Apeloj te të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë masat për parandalimin e zjarreve”, ka bërë të ditur drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.

