Spitali i Tetovës do të rikonstruktohet nga themelet, investim prej 74 milionë eurosh

3 Min. Leximi

Spitali Klinik i Tetovës do të kalojë në një proces të plotë rikonstruksioni, zgjerimi dhe pajisjeje moderne, me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e Rajonit të Pollogut dhe uljen e numrit të referimeve drejt Shkupit.

Projekti për rikonstruksionin kapital të spitalit u prezantua sot në prani të ministrit të Shëndetësisë, dr. Sasho Klekovski, zëvendësministrit të Shëndetësisë Jovica Andovski, drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor Zlatko Perinski, kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, dr. Erzen Elezi, së bashku me delegacionin e Bankës Botërore dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vlera e parashikuar e investimit është 4,56 miliardë denarë, ose rreth 74 milionë euro, ndërsa modeli përfundimtar financiar do të përcaktohet pas përfundimit të analizave dhe procedurave të nevojshme.

Projekti parasheh rikonstruksionin dhe modernizimin e bllokut kirurgjik dhe atij internistik, ndërtimin e një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore, një objekt të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji, furnizimin me pajisje moderne mjekësore dhe sisteme informatike, si dhe largimin e objekteve të amortizuara dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.

“Ky është një investim në dinjitetin dhe sigurinë e pacientëve, si dhe në kushte më të mira për punonjësit shëndetësorë. Qëllimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe Rajonit të Pollogut të marrin shërbime moderne dhe në kohë, pranë vendbanimit të tyre”, deklaroi ministri Klekovski.

Investimi ka rëndësi të drejtpërdrejtë për rreth 251.500 banorë të Rajonit të Pollogut dhe pritet të mundësojë më shumë shërbime shëndetësore në nivel lokal, kohë më të shkurtër pritjeje dhe më pak referime drejt Shkupit.

Me përfaqësuesit e Bankës Botërore janë shqyrtuar hapat e ardhshëm të projektit, përfshirë përgatitjen e studimit të fizibilitetit, dokumentacionit teknik, analizën e kostove dhe përfitimeve, si dhe përcaktimin e një modeli të qëndrueshëm financimi.

Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Fondin për Sigurim Shëndetësor, Komunën e Tetovës dhe drejtuesit e Spitalit Klinik të Tetovës, do të sigurojnë përgatitje të koordinuar, transparencë dhe mbështetje institucionale gjatë të gjitha fazave të realizimit të projektit.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull