Të dhënat e Regjistrimit të Popullsisë 2021 të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se shumica e fshatrave në Maqedoninë e Veriut me përqindjen më të lartë të fëmijëve janë vendbanime me shumicë shqiptare.
Sipas statistikave zyrtare, nga 19 fshatrat në vend që kanë mbi 300 banorë dhe ku më shumë se 30 për qind e popullsisë janë fëmijë deri në moshën 14-vjeçare, pjesa më e madhe janë fshatra shqiptare.
Në vendin e parë renditet Jabollçishti i Poshtëm në Komunën e Çashkës, ku fëmijët përbëjnë 39,7 për qind të popullsisë. Pas tij vijnë Jabollçishti i Epërm me 38,3 për qind dhe Vranovci i Epërm me 34,9 për qind. Në këtë grup përfshihen edhe Batinci, Studeniçani, Cvetova, Draçevica, Orllanca dhe disa vendbanime të tjera me popullsi shqiptare.
Në një kohë kur shumë fshatra në vend po përballen me rënie të numrit të banorëve dhe emigrim, këto të dhëna tregojnë se një numër i konsiderueshëm i vendbanimeve shqiptare vazhdojnë të kenë një strukturë të re demografike, me familje të reja dhe një përqindje të lartë të fëmijëve.

