Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se Qeveria do të ulë akcizat për karburantet për shkak të rritjes së pritshme të çmimeve në tregjet botërore, e shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Debërcës, Mickoski deklaroi se Qeveria ende nuk ka bërë përllogaritje të sakta për nivelin e shtrenjtimit, por vlerësoi se rritja e çmimeve të karburanteve është e pashmangshme.
“Nuk kemi bërë përllogaritje për rritjen e çmimeve, por ajo sigurisht do të ndodhë, pasi çmimet e naftës dhe benzinës janë rritur ndjeshëm gjatë javës së kaluar, ndërsa edhe kursi i dollarit është pak më i fortë krahasuar me javën paraprake. Si Qeveri, e kemi vazhduar gjendjen e krizës edhe për tre muaj dhe, duke pasur parasysh çmimet aktuale, me siguri do të kemi ulje të akcizave si për dizelin ashtu edhe për karburantet pa plumb”, deklaroi Mickoski.
Sipas kryeministrit, ulja e akcizave synon të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve të naftës dhe derivateve të saj mbi qytetarët dhe ekonominë.
Çmimet e reja me pakicë të karburanteve pritet të shpallen të hënën nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, i cili do të marrë vendimin që do të vlejë për shtatë ditët e ardhshme.

