Adnan Azizi: Tetova bojkoton vjedhësit e kanalizimit në Zajaz

2 Min. Leximi

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar pas protestës së organizuar nga BDI në Tetovë, duke vlerësuar se pjesëmarrja e ulët ishte tregues i humbjes së besimit të qytetarëve ndaj kësaj partie.

“Tetova bojkoton vjedhësit e kanalizimit në Zajaz.

Protesta e djeshme në Tetovë la disa mesazhe të qarta politike, por mbi të gjitha nxori në pah disa konstatime që nuk duhen anashkaluar.

Konstatimi i parë është se politika e ndërtuar mbi shpifje, propagandë dhe përbaltje nuk arrin të fitojë besimin e qytetarëve. Ata që besojnë se mund të rikthehen në pushtet duke prodhuar narrativa të rreme, dje morën përgjigjen më të mirë. Qytetarët nuk iu përgjigjën thirrjes së tyre, nuk e mbështetën atë qasje dhe sheshi bosh ishte treguesi më domethënës i mungesës së besimit. Ky nuk është një fenomen i rastësishëm, por vazhdimësi e asaj që qytetarët e kanë shprehur edhe në zgjedhjet e fundit, ku VLEN shënoi fitore të thellë ndaj BDI-së me rezultatin 10 me 3.

Konstatimi i dytë është se qytetarët gjykojnë mbi bazën e veprave dhe jo të fjalëve. Pavarësisht propagandës, akuzave apo përpjekjeve për të krijuar mjegull politike, në fund vlerësohen rezultatet konkrete. Prandaj përgjigjja më e mirë ndaj çdo fushate dezinformimi është puna edhe më e madhe, përkushtimi dhe realizimi i projekteve që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Në fund, mbetet një mësim që vlen për të gjithë: as një mijë fjalë, sado zhurmë të bëjnë, nuk kanë peshën e një vepre të mirë. Propaganda mund të zgjasë për një kohë, por nuk mund ta zëvendësojë realitetin. Qytetari sheh, krahason dhe vendos mbi atë që prek e përjeton çdo ditë.

Ndërsa realiteti mban vulën e VLEN-it: Punë intensive për Korridorin 8, autostrada Shkup-Bllacë, Stadiumi i Tetovës, Kampusi i UNT-së dhe shumë projekte të tjera kapitale”, ka shkruar Azizi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull