Ministria iraniane e Shëndetësisë njoftoi se sulmet amerikane të kryera më 8 dhe 9 korrik në pesë provinca të Iranit kanë shkaktuar të paktën 14 viktima dhe 78 të plagosur.
Kreu i Qendrës së Marrëdhënieve me Publikun dhe Informacionit në ministri, Hossein Kermanpour, tha se 47 nga të plagosurit vazhdojnë të trajtohen në spital, ndërsa të tjerët janë liruar pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, tre persona humbën jetën në një sulm pranë qytetit jugperëndimor të Ahvazit.
Përshkallëzimi i fundit i tensioneve vjen pas dështimit të armëpushimit të arritur muajin e kaluar. SHBA akuzoi Iranin për sulmet ndaj tre anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe më pas ndërmori një seri operacionesh ushtarake ndaj objektivave iraniane.
Komanda Qendrore e SHBA-së bëri të ditur se gjatë dy ditëve u goditën mbi 170 objektiva ushtarake, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, baza raketore, kapacitete detare dhe objekte të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, me synimin për të parandaluar sulme të tjera ndaj anijeve ndërkombëtare.
Në kundërpërgjigje, Irani ka kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj objekteve që i cilëson ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt.

