Këshilltari i VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Zekerija Berisha, ka njoftuar se është miratuar bashkëpunimi ndërkomunal ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Shuto Orizarit, përmes të cilit hapet rruga për sanimin e rrugës 38 dhe ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në rrugën 37.
“Në seancën e sotme të pesëmbëdhjetë të Këshillit të Qytetit të Shkupit miratuam një sërë vendimesh me rëndësi për zhvillimin e qytetit dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Mbështetëm Planin Zhvillimor për mirëmbajtjen, rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugëve magjistrale dhe anësore për periudhën 2027–2029, vendime për forcimin e sistemit arsimor në shkollat e mesme të qytetit, iniciativa që do të mundësojë formimin e programit katërvjeçar për shoferë profesionistë në ASUC “Boro Petruševski”, si dhe vendime të tjera që lidhen me shëndetësinë, infrastrukturën dhe zhvillimin e qytetit. Gjithashtu, shprehëm solidaritet duke miratuar ndihmë për të prekurit nga tërmeti katastrofik në Venezuelë.
Megjithatë, për mua si koordinator i grupit të këshilltarëve të VLEN-it në Qytetin e Shkupit, një nga vendimet më të rëndësishme ishte miratimi i bashkëpunimit ndërkomunal ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Shuto Orizarit.
Me këtë vendim hapet iniciativa për sanimin e rrugës 38, si dhe ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në rrugën 37.
Ky projekt është realizim i një premtimi parazgjedhor të VLEN-it dhe i Kryetarit të Qytetit të Shkupit. Për plot 35 vite, banorët e rrugëve 38 dhe 37 jetuan pa rrjet të ujësjellësit – një problem elementar që për dekada u la jashtë prioriteteve të institucioneve.
Sot, pas vetëm 8 muajsh qeverisje në Qytetin e Shkupit, kemi arritur ta vendosim këtë çështje në krye të agjendës dhe të sigurojmë fillimin e zgjidhjes së saj. Ky është dallimi mes politikës së premtimeve dhe politikës së rezultateve.
Si grup i këshilltarëve të VLEN-it do të vazhdojmë të mbështesim çdo projekt që sjell zhvillim, infrastrukturë më të mirë dhe kushte më dinjitoze për të gjithë qytetarët e Shkupit.
Premtimet po i kthejmë në vepra”, ka shkruar Berisha.

