TRONDITËSE: Video e dhunës brutale ndaj një vajze në Aerodrom – e tërheqin për flokësh, e rrahin, ndërsa dhjetëra fëmijë brohorasin dhe filmojnë

3 Min. Leximi

Një vajzë e klasës së shtatë në lagjen Aerodrom të Shkupit, mbrëmjen e pardjeshme është rrahur me shuplaka, është tërhequr për flokësh, fyer, poshtëruar dhe detyruar të gjunjëzohet e t’i kërkojë falje një bashkëmoshatareje, ndërsa të gjithë ngjarjen e kanë filmuar me telefona celularë rreth dhjetë të mitur dhe e kanë nxitur dhunën me brohoritje.

Video Player

00:49
02:49

Dy video të ndara nga ky akt shqetësues i dhunës dhe bullizmit mes bashkëmoshatarëve, që përmbajnë elemente të shumta të një vepre penale, kanë mbërritur në redaksinë e “Sloboden Peçat”, ku shihen qartë fytyrat e të gjithë personave të përfshirë.

Lexuesit që i kanë dërguar videot mediumit kanë deklaruar se mbrëmë, më 30 qershor, rreth orës 23:00, janë paraqitur në Stacionin Policor Lisicë me materialet filmike, të cilat ndërkohë kishin nisur të shpërndaheshin mes bashkëmoshatarëve përmes telefonave celularë, me qëllim që ta denonconin rastin e rrahjes. Sipas tyre, zyrtarët policorë në detyrë u kanë thënë se “ata nuk janë dëshmitarë të ngjarjes” dhe se “vajza duhet ta paraqesë vetë rastin”.

Në video, vajza detyrohet nga autorja e dhunës të deklarojë se nuk do ta denoncojë atë për atë që po i bën. Identiteti i viktimës dhe i vajzës që ushtron dhunën është i njohur për redaksinë e mediumit.

Pas dorëzimit të videove, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar për “Sloboden Peçat” se do të ndërmarrin veprime.

“Lidhur me rastin për të cilin interesoheni, ju njoftojmë se deri më tani nuk është paraqitur asnjë kallëzim në SPB Shkup. Po ndërmerren masa sipas njohurive të marra për identifikimin e personave dhe zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Sipas mediumit, ndryshe nga reagimi i sotëm i MPB-së, mbrëmjen e kaluar, kur fëmijët u paraqitën në stacionin policor për të raportuar videon, zyrtarët në SP Lisicë nuk tentuan as të identifikonin personat që shfaqeshin në incizim dhe as të merrnin të dhënat e personave që e raportuan rastin, megjithëse në ekranin e telefonit shiheshin skena të rënda të dhunës ndaj një vajze në prani të dhjetëra fëmijëve.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull