Nën drejtimin e trajnerit Furkan Ali, Gjenerata 2017 e KF Beshiktash Çair ka arritur një sukses të madh, duke u shpallur kampione e turneut ndërkombëtar “Vllaznimi Cup”, i zhvilluar në Durrës.
Pas kalimit me sukses të fazës së grupeve, ekipi i Beshiktashit në gjysmëfinale e mposhti FC Elbasanin me rezultat bindës 6:0, duke siguruar kualifikimin në finale.
Në finalen e turneut, KF Beshiktash Çair u përball me Football Bayern Albania nga Tirana. Edhe pse fillimisht pësoi gol, skuadra reagoi menjëherë. Dajen Osmani barazoi rezultatin në 1:1 me një supergoditje nga mesi i fushës, ndërsa golin e fitores 2:1 e realizoi Erion Qupi, duke i siguruar ekipit trofeun e kampionit.
Përveç triumfit ekipor, Dajen Osmani u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut, pasi realizoi plot 10 gola, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të suksesit të ekipit.
Triumfi në “Vllaznimi Cup” është një tjetër dëshmi e punës cilësore që po bëhet në KF Beshiktash Çair me gjeneratat e reja dhe e përkushtimit të trajnerit Furkan Ali në zhvillimin e talenteve të rinj.

