Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, realizoi një vizitë pune në fshatrat e Komunës së Çashkës dhe të Velesit, ku zhvilloi takime me prodhues duhani dhe orizi, blegtorë dhe fermerë të profileve të ndryshme.
Gjatë vizitës, Hoxha bisedoi drejtpërdrejt me fermerët në shtëpitë, oborret dhe lokalet e fshatrave, duke u njohur nga afër me aktivitetin e tyre të përditshëm dhe interesimin për masat dhe programet mbështetëse të Ministrisë.
Në takimet me fermerët u diskutua për mundësitë e zhvillimit të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, investimet në ferma, si dhe për shfrytëzimin e programeve që janë në dispozicion të sektorit bujqësor.
Hoxha theksoi se kontakti i drejtpërdrejtë me fermerët mbetet mënyra më e mirë për të kuptuar nevojat reale në terren dhe për të orientuar mbështetjen aty ku ajo sjell rezultatet më të mëdha.
Vizita ishte pjesë e aktiviteteve të rregullta në terren me qëllim forcimin e komunikimit me komunitetet rurale dhe promovimin e mundësive që ofrohen për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

