Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, vlerëson se hapja e temave me prapavijë etnike ka për qëllim të minojë funksionalitetin institucional dhe proceset që, sipas tij, po sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe shqiptarët në vend.
Në emisionin “360 Shkallë” në TVM1, Sali deklaroi se Qeveria po realizon projekte me interes shtetëror dhe nacional, një pjesë e të cilave po zbatohen në rajonet perëndimore të vendit, ndërsa VLEN po tregon pjekuri politike në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme.
“Hapja e temave me prapavijë etnike ka për qëllim të shembë funksionalitetin që po përpiqemi ta fitojmë. Të gjitha ato projekte që po i realizojmë si qeveri nga interesi nacional dhe shtetëror, e që rastësisht realizohen në pjesën perëndimore të shtetit, janë projekte që për 20 vite nuk kanë arritur të realizohen”, tha Sali.
Ai theksoi se tema të tilla si protestat, provimi i jurisprudencës apo çështja e gjuhës shqipe po aktivizohen pikërisht në momentet kur, sipas tij, VLEN po dëshmon kapacitet real qeverisës.
“Mendoj se këto tema hapen për të dëmtuar raportet dhe për të minuar angazhimin dhe proceset që janë në favor të shqiptarëve”, deklaroi Sali.
Sipas tij, rezultatet e deritanishme tregojnë se VLEN po arrin të realizojë projekte dhe procese që kanë munguar për vite me radhë, pavarësisht përpjekjeve për të krijuar tensione dhe ndasi politike.

