Dy vajza nga Topanica e Kamenicës kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident në Gjermani.
Dy gra kanë vdekur si pasojë e një aksidenti në Gjermani, në autostradën A5 pranë Appenweierit.
Lidhur me rastin kanë shkruar edhe mediat gjermane, derisa një medium lokal në Kosovë ka raportuar se bëhet fjalë për E.Z. 24-vjeçare dhe A.Z 18-vjeçare, nga fshati Topanicë i Kamenicës.
Mediumet gjermane raportojnë se një person i përfshirë në aksident ka pësuar lëndime të rënda. Në aksidentin zinxhir që pasoi përplasjen fillestare, ku u përfshinë gjithsej pesë automjete, humbën jetën dy vajza.
Sipas dyshimeve të para, shkaku i aksidentit ka qenë një manovër e pasuksesshme për ndryshimin e korsisë. Dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën me shpejtësi të lartë, duke shkaktuar aksidentin fillestar. Një nga personat e përfshirë mbeti i lënduar rëndë.
Për shkak të përplasjes, pesë automjete që po lëviznin pas tyre nuk arritën të frenonin në kohë, duke shkaktuar një aksident tjetër zinxhiror.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, pasagjerët e katër automjeteve nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa dy vajzat që udhëtonin së bashku në një veturë humbën jetën në vendngjarje.
Autostrada A5, në afërsi të daljes së Appenweierit në drejtim të Karlsruhe-s, mbeti e mbyllur plotësisht deri rreth orës 20:00. Për shkak të temperaturave të larta dhe kolonave të gjata të krijuara, Kryqi i Kuq Gjerman (DRK) shpërndau ujë për shoferët dhe pasagjerët e bllokuar në trafik.
Në vendin e ngjarjes intervenuan një numër i madh ekipesh emergjente dhe zjarrfikësish. Ndërkohë, policia rrugore e Baden-Badenit ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit.

