Menaxhmenti i mëparshëm i TVM-së nuk uk i bleu të drejtat për Botërorin, Denis Shabani: Dikush duhet të japë llogari

2 Min. Leximi

Komentatori sportiv i TVM2, Denis Shabani, ka kritikuar ish-udhëheqësinë e Radio Televizionit të Maqedonisë për mosblerjen e të drejtave televizive të Kampionatit Botëror, duke vlerësuar se servisi publik kishte mundësi financiare për ta siguruar transmetimin e ngjarjes më të madhe futbollistike, transmeton Zyrtare.

Në një paraqitje në Alsat, Shabani tha se është i lidhur emocionalisht me televizionin publik, ku edhe ka nisur karrierën e tij, por shtoi se humbja e të drejtave për Botërorin është pasojë e vendimeve të menaxhmentit të kaluar.

Sipas tij, drejtuesit e mëparshëm nuk e kishin prioritet blerjen e të drejtave për Kampionatin Botëror, por ishin të fokusuar në projekte dhe produksione private.

“MTV-ja ka pasur para për ta blerë Botërorin dhe çmimi ka qenë shumë më i lirë në periudhën e mëhershme. Ata thjesht nuk kanë dashur ta blejnë, sepse kanë qenë të interesuar për gjëra të tjera”, deklaroi Shabani.

Ai theksoi se ndryshimet në udhëheqjen e televizionit publik ndodhën pikërisht në periudhën kur duhej të përfundonin procedurat për sigurimin e të drejtave, ndërsa drejtori i ri, sipas tij, erdhi në një moment kur procesi tashmë ishte vonuar.

Shabani vlerësoi se mostransmetimi i Botërorit në televizionin publik është një goditje për servisin publik dhe për qytetarët, duke theksuar se publiku meriton qasje falas në ngjarje të tilla sportive.

“Ne jemi servis publik dhe paguhemi nga taksat e qytetarëve. Nuk është korrekte që njerëzit të detyrohen të paguajnë për të parë ndeshjet”, tha ai.

Në fund, gazetari sportiv kërkoi përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar, duke theksuar se dikush duhet të japë llogari për humbjen e të drejtave të transmetimit të Kampionatit Botëror./ZYRTARE.net/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull