Momente paniku janë regjistruar në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, ku një zjarr ka shpërthyer në një ndërtesë banimi pasi, sipas informacioneve të para, është përfshirë nga flakët instalimi elektrik i objektit.
Tymi i dendur u përhap me shpejtësi nëpër korridoret e ndërtesës, duke detyruar banorët të largohen menjëherë nga banesat e tyre. Dëshmitarët tregojnë se shumë prej tyre dolën jashtë në gjendje paniku, disa zbathur dhe të veshur vetëm me pizhame.
Mes të evakuuarve kishte edhe familje me fëmijë të vegjël dhe foshnja, të cilët u nxorën me urgjencë për t’u shpëtuar rrezikut nga tymi dhe flakët.
Në vendngjarje ndërhynë ekipet zjarrfikëse, të cilat arritën ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin në kohë, duke parandaluar përhapjen e tij në apartamentet e tjera të ndërtesës.
Sipas informacioneve të deritanishme, nuk raportohet për persona të lënduar rëndë. Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit, si dhe për të vlerësuar dëmet materiale të shkaktuara.
Banorët përshkruajnë skena dramatike, duke thënë se u zgjuan nga era e tymit dhe thirrjet e fqinjëve, pas së cilave u detyruan të largoheshin me nxitim nga ndërtesa./a1on.mk

