Zv/kryeministri i parë dhe njëherësh ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut po vazhdon të dëshmojë rezultate konkrete në procesin e reformave të lidhura me integrimin evropian.
Ai njoftoi se është hapur mbledhja e dytë e Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), mekanizëm ky që synon mbështetjen financiare dhe institucionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Maqedonia e Veriut vazhdon të dëshmojë se reformat japin rezultate konkrete. Me mbi 142 milionë euro të siguruara deri më tani dhe me 65.7 milionë euro të miratuara në ciklin e fundit, vendi ynë mbetet ndër liderët e rajonit në zbatimin e Agjendës së Reformave,” deklaroi Sali.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, duke falënderuar institucionet evropiane për mbështetjen e vazhdueshme.
“Falënderoj Delegacionin e Bashkimit Evropian, ambasadorin Michalis Rokas dhe Komisionin Evropian për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme,” u shpreh ai.
Sipas tij, procesi i integrimit evropian mbetet prioritet strategjik i vendit.
“Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian mbetet e qartë, e qëndrueshme dhe e bazuar në rezultate,” theksoi Sali.
Instrumenti për Reforma dhe Rritje (RGF) konsiderohet një nga mekanizmat kryesorë financiarë të Bashkimit Evropian për përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit, me fokus në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe përafrimin me standardet evropiane.

