Një gjykatë në Tunizi dënoi të martën me burgim të përjetshëm liderin e lëvizjes Ennahda, Rached Ghannouchi, në një çështje që lidhet me strukturën e pretenduar sekrete të lëvizjes, njoftoi agjencia shtetërore tuniziane e lajmeve, transmeton Anadolu.
Dhoma penale për çështjet e terrorizmit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tunis shqiptoi dënime që variojnë nga dhjetë vjet burg deri në burgim të përjetshëm, tha një burim gjyqësor për agjencinë TAP.
Sipas burimit, të pandehurit u shpallën fajtorë për disa akuza, përfshirë krijimin dhe anëtarësimin në një organizatë “terroriste”, si dhe vepra të tjera sipas ligjit tunizian kundër terrorizmit.
Ghannouchi, ish-kryetar i parlamentit, i cili ndodhet në paraburgim që nga prilli i vitit 2023, u dënua me burgim të përjetshëm dhe 30 vjet shtesë burg. Zëvendësi i tij, Ali Larayedh, u dënua me 42 vjet burg.
Gjykata dënoi edhe disa të pandehur të tjerë, përfshirë ish-zyrtarin e sigurisë Mustafa Khedher, me burgim të përjetshëm dhe 96 vjet shtesë burg, ndërsa të tjerët morën dënime nga dhjetë deri në 50 vjet.
Po ashtu, gjykata urdhëroi që të gjithë të dënuarit të mbeten nën mbikëqyrje administrative për pesë vjet pas përfundimit të dënimeve të tyre.
Çështja përfshin 35 të pandehur, mes tyre Ghannouchin, Larayedhin dhe disa ish-zyrtarë të sigurisë.
Hetimi u hap në fillim të vitit 2022 pas një kallëzimi të paraqitur nga prokuroria dhe ekipi mbrojtës i politikanëve të vrarë Chokri Belaid dhe Mohamed Brahmi, të cilët u vranë në vitin 2013.
Lëvizja Ennahda ka mohuar vazhdimisht akuzat për ekzistencën e një strukture sekrete dhe i ka cilësuar procedurat gjyqësore ndaj drejtuesve të saj si të motivuara politikisht.

