Një nga burgjet më të debatueshme në botë është vënë në qendër të një dokumentari të ri të televizionit britanik Channel 5, duke ofruar pamje të rralla nga brendësia e Qendrës së Izolimit të Terrorizmit (CECOT) në El Salvador. Ky burg gjigant konsiderohet mjeti kryesor i qeverisë së presidentit Nayib Bukele në luftën kundër bandave kriminale.
Prezantuesi Richard Madeley, pjesë e ekipit të parë televiziv britanik që mori leje për të hyrë në objekt, i përshkroi pamjet që pa si të paprecedenta.
“Nuk kam parë kurrë njerëz në një gjendje të tillë dhe të mbajtur në kushte të tilla”, deklaroi ai.
Burgu u hap në vitin 2023 dhe që atëherë ka shkaktuar reagime të forta në nivel ndërkombëtar. Ai u bë i njohur edhe jashtë Amerikës Latine kur administrata e Donald Trump dërgoi atje disa të burgosur venezuelanë.
Pamjet e dokumentarit tregojnë mijëra të burgosur të ulur në rreshta të pafund qelish. Të gjithë kanë kokat e rruara, veshin të njëjtën uniformë të bardhë dhe u nënshtrohen rregullave tepër të rrepta të disiplinës.
Jetë pa errësirë dhe pa liri
Drejtori i burgut, Belarmino García, e ka cilësuar më parë CECOT-in si një “varrezë të njerëzve të gjallë”, një përshkrim që, sipas dokumentarit, nuk duket larg realitetit.
Dritat qëndrojnë të ndezura 24 orë në ditë, duke bërë që të burgosurit të mos përjetojnë kurrë errësirë të vërtetë.
Kur Madeley e pyeti pse dritat nuk fiken as gjatë orëve të pushimit, García u përgjigj se kjo është pjesë e protokollit të sigurisë.
“Duhet të jem në gjendje të shoh se çfarë bëjnë”, tha ai.

Të burgosurit flenë në krevate metalikë pa dyshekë, marrin rreth 1 mijë e 800 kalori në ditë dhe, sipas reportazhit, i vetmi objekt që kanë për argëtim është Bibla.
Jeta e tyre e përditshme kufizohet pothuajse tërësisht brenda qelive të mëdha. Sipas dokumentarit, ata kalojnë rreth 23 orë e gjysmë në ditë të mbyllur, duke pasur vetëm 30 minuta për ushtrime fizike dhe lexim të Biblës.
Madeley raportoi gjithashtu se rreth burgut funksionon një lloj “flluske elektronike”, e cila neutralizon çdo pajisje elektronike që mund të futet ilegalisht në kompleks.
Disiplinë absolute dhe izolim
Një nga aspektet që e impresionoi më shumë gazetarin britanik ishte bindja absolute e të burgosurve.
Shumë prej tyre akuzohen për pjesëmarrje në bandat famëkeqe MS-13 dhe Barrio 18, të lidhura prej vitesh me vrasje, zhvatje dhe krime të dhunshme në El Salvador.
Pavarësisht të kaluarës së tyre kriminale, të burgosurit shfaqen duke zbatuar me përpikëri urdhrat e personelit të burgut dhe nuk flasin nëse nuk u drejtohet dikush.
“Nuk mund ta imagjinoj një burg në Mbretërinë e Bashkuar ku të burgosurit do të ishin kaq të nënshtruar”, komentoi Madeley.

Sipas drejtorit të burgut, kjo sjellje është rezultat i disiplinës së ashpër që zbatohet në institucion.
Shkeljet ndëshkohen me transferim në qeli të posaçme izolimi për periudha deri në 30 ditë. Këto qeli përshkruhen si plotësisht të errëta dhe krejtësisht të heshtura. Të burgosurit detyrohen të lëvizin duke prekur muret për të gjetur krevatin metalik, lavamanin dhe tualetin.
Madeley vuri në dukje se, pas një eksperience të tillë, rikthimi në sektorin kryesor të burgut mund të duket si liri.

Në kompleks ndodhen gjithsej 96 qeli izolimi, megjithëse García pretendon se ato përdoren rrallë.
Drejtori këmbënguli se të drejtat e njeriut të të burgosurve respektohen dhe se të gjithë kanë akses në ushqim dhe në proces të rregullt gjyqësor. Megjithatë, kur prezantuesi shtroi pyetje më këmbëngulëse për kushtet e paraburgimit, ekipit të dokumentarit iu kërkua të largohej nga ambientet e burgut.

