BDI: Kur shteti merr erë Beogradi, VLEN merret me studentët shqiptarë

1 Min. Leximi

Komunikatë e BDI-së:
Dje opinioni publik u trondit nga pretendimet e bëra nga opozita se një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është bashkëpunëtor i shërbimeve serbe. Sot pamë një tjetër pamje shqetësuese: tubim në Kumanovë në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit, i shoqëruar me thirrje kundër Kosovës.

Këto zhvillime vijnë vetëm pak kohë pasi në debatet evropiane u ngritën shqetësime serioze se Maqedonia e Veriut po rrëshqet nën ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “bota serbe”.

Pyetja është: ku janë VLEN?

Ndërsa hapen pyetje serioze për ndikime të huaja, për orientimin strategjik të shtetit dhe për cenimin e kursit euroatlantik, VLEN vazhdon të merret me studentët shqiptarë dhe me sulme ndaj zërit të rinisë shqiptare.

Kur organizohen tubime me thirrje kundër Kosovës — heshtje. Kur ngrihen dyshime për ndikime serbe në nivelet më të larta të pushtetit — heshtje. Kur cenohet orientimi politik i shtetit — përsëri heshtje.

Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë dekor në këtë shtet. Shqiptarët kanë qenë garancia më e fortë e kursit pro-evropian dhe pro-NATO të Maqedonisë së Veriut.

Heshtja sot nuk është neutralitet. Heshtja sot është pozicionim.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull