Partia Socialdemokrate ka zhvilluar të enjten një aksion para zyrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, me ç’rast përfaqësues të partisë kanë dorëzuar një ftesë për debat.
I pari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi se vendi ka mbetur pa opozitë, andaj edhe do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ai ka thënë se në vendet demokratike pushteti frikësohet nga opozita, por që në Kosovë ndodhë e kundërta. Molliqaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka frikë vetëm nga PSD-ja.
“ Po qysh e patë edhe sot, kjo nismë, ky rrugëtim i Partisë Socialdemokrate për opozitë, jo për pazare, i jep efektet e para. Domethënë, na bllokuan hyrjen me polici. Kur kam qenë unë aktivist në Vetëvendosje dhe të tjerët, policia na ka nxjerrë zvarrë nga zyrat për shkak të aktiviteteve dhe të kauzave. Sot policia po përdoret me i pengu, me i pengu aktivitetet opozitare. Në demokraci çështje më të rëndësishme se debati nuk ka. Nëse demokracia reduktohet në votë dhe në procedurë, ajo bëhet tirani. Kërkesa e partisë-pushtet për më shumë vota në këto zgjedhje, e shpërfaq edhe një herë qartazi dëshirën për më shumë pushtet, më pak demokraci, më pak debat. Po ajo kohë me Partinë Socialdemokrate, nëse qytetarët e saj do ta votojnë dhe do ta mbështesin, përfundon. Siç e patë sot, skena të tilla keni me parë gjithnjë e më shumë edhe në këtë fushatë, edhe në Kuvendin e Kosovës. Vetëvendosja i tutet veç Partisë Socialdemokrate. Qysh e patë, edhe zyrtarët brenda që pastronin, u drodhën. Thonë ti që ka ardhë ndokush, PSD-ja ka ardhë, Dardan Molliqaj ka ardhë me media, me një zarf isha. Paramendoni me qenë PSD-ja në Kuvend. Paramendoni qysh do të duken këta”, ka thënë tutje ai.
Sipas Molliqajt, VV-ja është mësuar me opozitarë që s’kanë as kredibilitet moral, guxim politik, vetëdije e as aktivizëm.
Ka shtuar se sot e ka ftuar VV-në në debat për e ide e diskutime, e jo siç ka thënë ai, për pazare “siç diskutojnë me Lumirin, Bedriun e të tjerët”.
Ai tha se beteja e vërtetë politike ideore është mes Partisë Socialdemokrate dhe Vetëvendosjes.

