Shkup, 15 korrik – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar koalicionin qeverisës VMRO-ZNAM-VLEN për, siç thotë, kapje të plotë politike të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut (RTVM), duke vlerësuar se zhvillimet e fundit kanë dëmtuar pavarësinë, profesionalizmin dhe karakterin multietnik të servisit publik. Në një reagim, BDI thotë se, pas emërimit të kontestuar të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, situata është përkeqësuar edhe më tej me humbjen e postit të drejtorit të Radios nga kuadrot shqiptare. Sipas partisë, për herë të parë që nga viti 2007, shqiptarët kanë mbetur pa asnjë pozitë drejtuese në nivel drejtorësh në RTVM.
“Pas emërimit të paligjshëm të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, skandali është thelluar edhe më tej me faktin se shqiptarët kanë humbur edhe postin e drejtorit të Radios. Për herë të parë që nga viti 2007, shqiptarët kanë mbetur pa asnjë pozitë drejtuese në nivel drejtorësh në RTVM, ndonëse bëhet fjalë për një institucion publik që financohet nga të gjithë qytetarët dhe që ka për detyrim ligjor të pasqyrojë karakterin multietnik të shtetit”, thuhet në reagim. BDI vlerëson se me këtë zhvillim është ndërprerë një praktikë institucionale që, sipas saj, kishte funksionuar për afro dy dekada dhe kishte garantuar balancën etnike në drejtimin e servisit publik.
“Pas gati dy dekada është shuar praktika institucionale dhe profesionale, sipas së cilës, kur drejtori ishte maqedonas, njëra nga dy nëndrejtoritë kryesore: Radioja ose Televizioni, drejtohej nga një kuadër shqiptar. Kjo nuk ishte privilegj, por një mekanizëm për të garantuar balancën etnike, zhvillimin e barabartë programor dhe pavarësinë editoriale të servisit publik”, thekson BDI. Partia opozitare kritikon edhe anëtarët shqiptarë të Këshillit Programor të RTVM-së, të emëruar me mbështetjen e VLEN-it, duke i akuzuar se nuk reaguan ndaj emërimit të drejtorit të Radios. “Fatkeqësisht, kjo traditë institucionale u rrënua me heshtjen e anëtarëve shqiptarë të Këshillit Programor të emëruar nga VLEN, të cilët nuk e kundërshtuan emërimin e një kuadri maqedonas në krye të Radios, edhe pse ai funksion i kishte takuar shqiptarëve që nga viti 2007. Heshtja e tyre nuk ishte rastësi, por bashkëpjesëmarrje në projektin për eliminimin e shqiptarëve nga pozitat vendimmarrëse në RTVM”, thuhet në reagim.
BDI rikthen në vëmendje edhe çështjen e emërimit të zëvendësdrejtorit të RTVM-së, për të cilin pretendon se është bërë në kundërshtim me ligjin dhe kriteret e konkursit. “Ndërkohë, për të tretën ditë me radhë, Këshilli Programor i RTVM-së hesht për emërimin e kundërligjshëm të zëvendësdrejtorit, një person që nuk i plotëson kushtet ligjore dhe kriteret e konkursit. Ky rast kërkon hetim urgjent nga institucionet kompetente”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, emërimet e fundit tregojnë se kriteri kryesor ka qenë përkatësia politike dhe jo profesionalizmi. “Emërimi dëshmon se kriteri i vetëm ka qenë lojaliteti politik ndaj VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, ndërsa punonjësit shqiptarë në RTVM kanë mbetur pa mbështetje institucionale dhe servisi publik po shndërrohet në instrument të propagandës qeveritare”, thekson partia. Në fund të reagimit, BDI deklaron se do të vazhdojë të kundërshtojë këto zhvillime përmes mjeteve demokratike dhe institucionale. “BDI nuk do të heshtë përballë këtij degradimi dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për ta mbrojtur ligjshmërinë, profesionalizmin dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut”, përfundon reagimi.

