Ministri i Shëndetësisë nga radhët e VLEN-it, Azir Aliu, ka reaguar lidhur me protestat studentore, duke kritikuar përpjekjet për partizimin e tyre nga ana e BDI-së.
Përmes një statusi publik, Aliu theksoi se protestat e të rinjve nuk duhet të përdoren për interesa politike, duke i cilësuar ato si “busulla morale e shoqërisë”.
“Protestat e rinisë nuk janë dekor për tribuna, as pronë e askujt. Ato janë busulla morale e shoqërisë! Ata që për vite me radhë ia ngushtuan frymën rinisë, sot nuk mund t’ia marrin dritën zërit të saj”, ka shkruar Aliu.
Me këtë reagim, ministri i VLEN-it ka thumbuar BDI-në, duke aluduar se partia që për vite ishte pjesë e pushtetit po tenton të përfitojë politikisht nga pakënaqësitë e studentëve, ndonëse sipas tij, problemet aktuale janë pasojë e politikave të saj shumëvjeçare.

