Studimi/ Temperaturat e larta gjatë Botërorit 2026, 25% e ndeshjeve paraqesin rrezik për shëndetin e lojtarëve

3 Min. Leximi

Kupa e Botës 2026 nuk do tw ketë vetwm më shumë ekipe, më shumë qytete pritëse dhe më shumë ndeshje, por do tw karakterizohet edhe nga temperatura të larta.

Një studim i “World Weather Attribution” paralajmëron se ndryshimi i klimës do të luajë një rol të rëndësishëm gjatë turneut, i cili do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Studimi tregon se 26 ndeshje mund të luhen në nivele nxehtësie që do të kërkonin masa të veçanta, të tilla si pushime për freskim dhe hidratim. Në vitin 1994, herën e fundit që Shtetet e Bashkuara pritën një Kupë Bote, studimi tregonte se ndeshjet që priteshin të luheshin në temperatura të ndaluara ishin 21.

Çelësi nuk është vetëm të shikosh termometrin. Nuk është e njëjta gjë të luash në nxehtësi 30 gradë në kushte të thata sa të luash në lagështi, rrezet e diellit direkte dhe pak erë. Kjo është arsyeja pse studimi përdor një tregues që mat se si trupi e ndjen në të vërtetë nxehtësinë. Me fjalë të tjera, nuk mat vetëm temperaturën, por edhe se si nxehtësia ndikon në të vërtetë në trupin e njeriut.

Dhe këtu lind problemi. “FIFPRO”, sindikata ndërkombëtare e lojtarëve, rekomandon futjen e pushimeve për freskim kur temperatura arrin 26 gradë Celsius. Në 28 gradë, ajo e konsideron të pasigurt zhvillimin e aktivitetit dhe këshillon shtyrjen e ndeshjes. Megjithatë, rregulloret aktuale të FIFA-s lejojnë shtyrje vetëm në temperatura shumë më të larta, mbi 32 gradë Celsius.

Raporti tregon se pesë ndeshje të Kupës së Botës mund të luhen në kushte që FIFPRO i konsideron të pasigurta. Në vitin 1994, numri i pritur ishte tre. Për më tepër, probabiliteti për të arritur nivele edhe më ekstreme, ndonëse ende i ulët, është pothuajse dyfishuar krahasuar me Kupën e Botës 1994.

Vendet më të ekspozuara janë Miami, Kansas City, Filadelfia, New York/New Jersey dhe, në një masë më të vogël, Monterrey dhe Boston. Disa qytete do të kenë stadiume me ajër të kondicionuar, por kjo nuk i eliminon të gjitha rreziqet. Brenda stadiumit mund të ketë më shumë mbrojtje, por jashtë ka tifozë, zona tifozësh, udhëtime, radhë, festime dhe gjithçka tjetër që rrethon një Kupë Bote.

Një shembull i përfshirë në studim është ndeshja midis Holandës dhe Tunizisë, e planifikuar për në orën 18:00 sipas orës lokale në Kansas City. Pavarësisht se nuk do të luhet në orët e para të pasdites, ndeshja ka një shans prej 7% për të tejkaluar pragun e nxehtësisë që FIFPRO e konsideron si të mjaftueshëm për shtyrjen e eventit. /rtsh

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull