Risi absolute në Champions League që duke nisur nga sezoni 2024 -2025. Nuk do të ketë më një fazë me 8 grupe, por një grup i vetëm me 36 skuadra, si një mega kampionat me një fazë dhe me një klasifikim të vetëm, por ku ndryshe nga një kampionat i mirëfilltë nuk ndeshesh me të gjitha skuadrat pjesëmarrëse.
Një turne ku situata mund të jetë pezull për çdo skuadër deri në ndeshjen e fundit, duke evituar zbehjen e interesit në raundet finale. Pastaj natyrisht edhe me fazën e sfidave me eliminim të drejtpërdrejtë vjen më e bukura.
36 SKUADRAT
Skuadrat pjesëmarrëse do të jenë 36, me kampionatet më të rëndësishme që ashtu si aktualisht kanë nga 4 skuadra, por me një risi, pasi klasifikimi sezonal i UEFA-s do t’u dhurojë nga një skuadër më shumë dy kampionateve më të mira, aktualisht kryesohet nga Italia, që natyrisht do ta ketë të vështirë të mbajë të njëjtin pozicion deri vitin e ardhshëm.
SUPER GRUPI
Në grup, ku do të jenë të 36 skuadrat, çdo ekip do të luajë 8 ndeshje, ndryshe nga 6 që luan tani. Nuk do të ketë sfida me sistemin vajtje ardhje, por 8 kundërshtarë të drejtpërdrejtë që do të përcaktohen nga shorti që do të hidhet në gusht në Montecarlo. Në short 36 skuadrat do të ndahen në 4 vazo me nga 9 ekipe, në bazë të klasifikimit për klube, ku skuadrat kampione do të jenë në vazon e parë. Çdo skuadër do të shortohet nga dy kundërshtarë nga çdo vazo, me njërën prej të cilave do të përballet në shtëpi ndërsa me tjetrën në transfertë.
KLASIFIKIMI
Pasi të kenë mbaruar ndeshjet e grupit, 8 skuadrat që do të jenë të parat në renditje kualifikohen direkt për në 1/8. Skuadrat nga vendi i 9-të deri në të 16-in, do të përballen me ato nga vendi i 17-të deri në të 24-in, në playoff.
Tetë fitueset e play off do të bashkohen me 8 skuadrat që ishin renditur të parat, ndërsa 8 skuadrat humbëse eliminohen, ashtu si dhe ato që në grup ishin renditur nga vendi i 25-të në të 36-in. Një tjetër risi është se nuk do të ketë një kalim në Europa League si më parë për vendet e treta në grupe, pasi skuadrat që eliminohen janë direkt jashtë Kupave të Europës.
ELEMINIMI I DREJTËPËRDREJTË.
16 skuadrat e mbetura do të sfidohen pastaj në 1/8, çerekfinale, dhe gjysmëfinale me ndeshje vajtje-ardhje, deri në finalen unike, gjithmonë sipas një tabele me ndërthurje të përcaktuara që në fillim si në tenis. Do të ketë vetëm një short në Championsin e ri, ai i gushtit. Për skuadrën që shkon deri në finale do të ketë në total 15 ndeshje, 17 për ato që kalojnë nga play-offi.
KUPAT E TJERA
Sistemi revolucionarizon edhe Europa dhe Conference League, pasi dy turnetë do të kenë formulën e njëjtë me 36 skuadra dhe një grup të vetëm, por në Conference parashikohen vetëm 6 ndeshje dhe jo 8. Të paktën në letër, duket gjithçka më spektakolare!