Tucker Carlson: Trump, peng i Netanyahu-t dhe profet i rremë i kohëve tona!

5 Min. Leximi

Në një rrëfim pa doreza për New York Times, Tucker Carlson shpjegon arsyet e forta që e çuan drejt ndarjes përfundimtare me Donald Trump pas sulmit ndaj Iranit. Ai e akuzon ish-presidentin se ka rënë pre e ndikimit të jashtëm, duke vepruar si një “skllav” i interesave të Benjamin Netanyahut në dëm të sigurisë amerikane.

Carlson ndalet gjithashtu te degradimi etik i Trumpit, duke i cilësuar provokimet e tij fetare si një tradhti të rëndë ndaj besimtarëve të krishterë. Kjo kthesë e papritur shënon një thyerje historike brenda lëvizjes konservatore, duke e shndërruar ish-aleatin më të madh në kritikun më të ashpër të administratës aktuale.

Ju keni qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Donald Trump. Pse kjo ndarje kaq dramatike tani lidhur me luftën në Iran?

Për dhjetë vite e kam mbështetur Trumpin, pikërisht sepse ai premtoi t’u jepte fund luftërave për ndryshim regjimesh. Kur ai vendosi të sulmonte Iranin më 28 shkurt, u tmerrova. Nuk është çështje preference personale, por e interesit kombëtar. Kjo luftë është një katastrofë për SHBA-në, më e keqe se Iraku. Trump e dinte këtë, por u dorëzua.

Gjatë takimeve tuaja në Shtëpinë e Bardhë para sulmit, si e justifikoi ai këtë vendim?

Ai më pyeste vazhdimisht: “A dëshiron që Irani të ketë armë bërthamore?”. Por nuk dukej asnjëherë entuziast. Përshtypja ime ishte se ai ndihej i detyruar, sikur s’kishte zgjedhje tjetër. Më thoshte vetëm “çdo gjë do të shkojë mirë”, por pa asnjë argument se si kjo do ta ndihmonte Amerikën.

Ju keni përdorur etiketime të forta, duke thënë se Trump është bërë “skllav” i interesave të huaja. Kë keni parasysh?

Ai është marrë peng nga Benjamin Netanyahu dhe donatorët e tij në SHBA. Është e turpshme që presidenti ynë nuk mundi të frenonte Netanyahun, kur ky i fundit sabotoi bisedimet për armëpushim duke bombarduar Bejrutin. Izraeli është tërësisht i varur nga ne, por Trump nuk guxoi as ta kritikonte publikisht. Kjo është skllavëri, kontroll total i një njeriu mbi një tjetër.

Çfarë ndryshoi tek ai? Pse Trumpi i mandatit të dytë është më i ndjeshëm ndaj këtyre presioneve sesa i pari?

Kjo është pyetja që meriton përgjigje. Trump zotëron një fuqi të jashtëzakonshme intuitive, por në këtë rast veproi kundër vullnetit të tij. Ndoshta operacioni në Venezuelë i dha një ndjesi false suksesi, ose ndoshta presionet e jashtme nga njerëz si Rupert Murdoch apo Miriam Adelson u bënë të papërballueshme. Ai e braktisi kauzën që e zgjodhi president, “Amerika e Para”.

Ju shpërthyet publikisht pas një postimi të tij në “Truth Social” ditën e Pashkëve. Pse ishte ai momenti i kthesës?

Ishte një krim moral. Të përdorësh fjalë banale dhe të kërcënosh me vrasje civilësh në ditën më të shenjtë të Krishterimit është djallëzore. Unë votova për të sepse premtoi të mbronte njerëzit e besimit, por ai po tall rëndë Zotin dhe po luan rolin e një profeti të rremë.

Në emisionin tuaj keni përmendur edhe mundësinë që ai të jetë “Antikrishti”. A e besoni vërtet këtë?

Nuk jam teolog që ta përcaktoj këtë me saktësi, por ajo që po shohim është një e keqe e pastër. Një udhëheqës që lartëson veten mbi Zotin dhe vret njerëz të pafajshëm është në kundërshtim me çdo standard moral. Unë dua që audienca ime të kuptojë se ka forca shpirtërore në lojë që shkojnë përtej politikës materiale.

A ndiheni i penduar që ndihmuat në zgjedhjen e tij president?

Po, do ta ndjej gjatë këtë pendesë. Unë i thashë njerëzve se ai do të na mbante larg luftërave të reja, ndërsa ai bëri të kundërtën. E pranoj që kam gabuar dhe u kërkoj ndjesë që kam mashtruar njerëzit, qoftë edhe pa dashje. Pasojat e vendimeve të tij aktuale janë vdekjeprurëse për vendin tonë. /tesheshi.com/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull