Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të BDI-së lidhur me projektin energjetik të ndërprerë, duke akuzuar se kjo parti po mbron një kontratë që vetë kuadrot e saj e kanë vlerësuar si jofunksionale, trasnmeton Zyrtare.
Në reagimin e saj, VLEN thekson se iniciativa për ndërprerjen e kontratës me “Energoinvest” nuk është e re dhe nuk lidhet me vendime politike të momentit, por buron nga menaxhmenti i mëparshëm i MEPSO-s, ku sipas tyre kanë qenë vetë përfaqësues të BDI-së që kanë konstatuar problemet serioze të projektit.
Sipas VLEN-it, ish-drejtues të MEPSO-s nga radhët e BDI-së, përfshirë drejtues të sektorit juridik dhe ish-drejtorin e përgjithshëm, kanë mbështetur ndërprerjen e kontratës për shkak të mungesës së aktiviteteve në terren, mungesës së bazës për rritje çmimi dhe mosfunksionimit praktik të kompanisë.
Koalicioni nënvizon se projekti në fjalë ka pasur realizim vetëm rreth 4% për pesë vite, ndërsa shteti ka paguar interesa për kredi që nga viti 2015, pa pasur progres real në ndërtim. Ata shtojnë se kontrata ishte e skaduar dhe shoqërohej me kërkesa shtesë financiare në kundërshtim me kushtet fillestare.
VLEN thekson se vendimi për ndërprerje është marrë mbi bazën e një analize forenzike të detajuar, të realizuar në kuadër të një projekti të mbështetur nga USAID, si dhe në përputhje me rregullat e EBRD.
Në reagim, VLEN akuzon BDI-në për përpjekje për të krijuar panik në opinion me, siç thuhet, “konstrukte dhe shifra”, ndërsa shtron pyetje për përgjegjësinë e kësaj partie gjatë kohës kur projekti nuk ka avancuar.
“BDI sot nuk mbron qytetarët, por një sistem që ka lejuar stagnimin e projektit dhe krijimin e kostove financiare”, thuhet në reagim.
Në fund, VLEN vlerëson se ndryshimet aktuale po çojnë përpara projektet e bllokuara, duke shtuar se “paniku” i BDI-së lidhet me faktin se, sipas tyre, “e vërteta po del në pah dhe projektet shtetërore nuk po shfrytëzohen më për përfitime private”.

