Ligji i ri në BE: teksa bota kafshërohet, kafsha fiton status njeriu(!)

4 Min. Leximi

Bashkimi Evropian ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e kafshëve shtëpiake duke miratuar rregullat e para të përbashkëta mbi mirëqenien e qenve dhe maceve.

Korniza e re legjislative, e miratuar me shumicë dërrmuese në Parlamentin Evropian, synon të luftojë abuzimin ndaj kafshëve, të parandalojë praktikat joetike të biznesit dhe të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Plot 558 deputetë votuan për propozimin, 35 ishin kundër tij, ndërsa 52 abstenuan, gjë që hapi rrugën për vendosjen e standardeve uniforme në nivelin e të gjithë Unionit.

Rregullat mbulojnë mbarështimin, strehimin, gjurmueshmërinë, importimin dhe trajtimin e qenve dhe maceve.

Një nga risitë kryesore është vendosja e detyrueshme e mikroçipit dhe regjistrimi i të gjithë qenve dhe maceve në bazat e të dhënave kombëtare ndërvepruese. Kjo do të zbatohet edhe për kafshët në pronësi private. Shitësit, mbarështuesit dhe strehimoret do të kenë katër vjet për t’u përshtatur, ndërsa pronarët që nuk marrin pjesë në shitjen e kafshëve do të kenë një periudhë më të gjatë tranzicioni – dhjetë vjet për qentë dhe pesëmbëdhjetë për macet.

Ligji gjithashtu vendos ndalime të rrepta për praktikat e mbarështimit që paraqesin rrezik për shëndetin e kafshëve. Do të ndalohet mbarështimi midis të afërmve të ngushtë, duke përfshirë prindërit dhe pasardhësit, si dhe vëllezërit e motrat. Gjithashtu është e ndaluar të mbarështohen kafshë me karakteristika të tepërta fizike që mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.

Përveç kësaj, masat e reja parashikojnë ndalimin e gjymtimit të qenve dhe maceve për qëllime ekspozitash, garash ose ngjarjesh të tjera, si dhe ndalimin e përdorimit të jakave të rrezikshme pa mekanizma sigurie. Lidhja e kafshëve do të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, për shembull për trajtim.

Theks i veçantë i vihet importit të kafshëve nga vendet e treta. Për të parandaluar abuzimet, rregullat shtrihen në hyrjen jo-komerciale të kafshëve që më vonë përdoren për shitje. Të gjithë qentë dhe macet që hyjnë në BE për shitje do të duhet të mikroçipohen para hyrjes dhe të regjistrohen në bazat e të dhënave kombëtare. Pronarët që udhëtojnë me kafshë shtëpiake do të duhet t’i regjistrojnë ato të paktën pesë ditë pune para mbërritjes në BE.

Reporterja Veronika Vrecionova theksoi se rregullat e reja dërgojnë një mesazh të qartë se kafshët shtëpiake nuk janë mallra, por anëtarë të familjes. Ajo theksoi se rregulloret më të rrepta do të ndihmojnë në goditjen e kultivuesve të papërgjegjshëm dhe do të sigurojnë kushte më të drejta për ata që veprojnë sipas rregullave.

Që ligji të hyjë në fuqi, kërkohet edhe miratimi formal nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Kështu, vërtetohet dhe njëherë ajo paradigma kritike që në Perëndim vlerësohen më shumë kafshët se njerëzit, e dukshme kjo dhe te perëndimorët e prirur për të jetuar më shumë me kafshë se sa me njerëz, ku qeni po zëvëndëson fëmijët. /tesheshi.com/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull