Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, së bashku me zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, kanë promovuar sot përfundimin e fazës së parë të projektit për rindërtimin e rrugës që lidh fshatrat Merovë dhe Sallarevë.
Ky projekt, i cilësuar si një nga më të rëndësishmit për zhvillimin e zonës, është financuar nga Ministria e Transportit përmes mjeteve të siguruara nga Komuna e Zhelinës. Kryetari Sejdiu theksoi se ky investim është dëshmi e vizionit të tij për të dërguar investimet publike në çdo lagje e fshat.
Detajet teknike të projektit:
Gjatësia: Afër 3 kilometra.
Gjerësia e asfaltit: 5 metra (6 metra bashkë me bankinat).
Sipërfaqja totale: 13 mijë metra katrorë asfalt.
”Banorët e Merovës dhe Sallarevës për vite me radhë kanë pritur investime serioze infrastrukturore. Sot po dëshmojmë se jetojmë në kohën e realizimeve dhe punëve konkrete,” u shpreh Sejdiu gjatë inspektimit të punimeve.
Kreu i komunës nënvizoi se zhvillimi nuk duhet të përqendrohet vetëm në qendër, por duhet të shtrihet në çdo vendbanim për të krijuar një komunë moderne dhe me perspektivë për gjeneratat e reja. Ai premtoi se do të vazhdohet me të njëjtin ritëm dhe përkushtim për të realizuar kërkesat e qytetarëve për një infrastrukturë sipas standardeve moderne.

