Shkup, 21 prill – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski për dështime të thella në ekonomi, bllokim të integrimit europian dhe cenim të të drejtave të shqiptarëve, duke e cilësuar atë si “të paaftë, antishqiptare dhe antieuropiane”. Në një reagim publik, BDI thekson se “në pak më shumë se një vit, qeveria Mickoski ka shkatërruar ekonominë, sabotuar integrimin europian dhe ka sulmuar të drejtat e shqiptarëve”, ndërsa shton se koalicioni qeverisës mbahet në funksion “përmes detyrimit dhe shfrytëzimit të dobësive të liderëve të tij”.
Sipas partisë së Ali Ahmetit, premtimet kryesore ekonomike të qeverisë nuk janë realizuar. “Premtimet për ‘pagë 1.000 euro’ dhe ‘investime rekord’ janë shndërruar në një realitet ku shporta minimale arrin në 68.797 denarë në muaj, ndërsa investimet e huaja direkte kanë rënë për 61 për qind, duke arritur vetëm 468 milionë euro – një ndër rezultatet më të dobëta në rajon”, thuhet në reagim.
BDI vlerëson se inflacioni kumulativ në pesë vitet e fundit ka arritur në 38.6 për qind, “pothuajse dyfishi i mesatares rajonale”, duke shtuar se “tregu e ka gjykuar këtë qeveri me largim kapitali, jo me duartrokitje”. Në planin politik dhe të integrimit europian, partia opozitare thekson se vendi ka mbetur prapa krahasuar me rajonin. “Rruga europiane e dëshiruar nga 70 për qind e qytetarëve mbetet e bllokuar jo nga veto të jashtme, por nga refuzimi aktiv i kësaj qeverie për të respektuar marrëveshjet e arritura”, thuhet në reagim, duke përmendur se vende si Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina kanë avancuar më tej.
BDI shkon më tej duke e akuzuar qeverinë për orientim gjeopolitik të gabuar. Sipas saj, “me zhvillimet e fundit në rajon, Mickoski dhe Aleksandar Vučić kanë mbetur ndër proksi-t e fundit rusë aktivë në Ballkan”, gjë që, sipas partisë, reflektohet në vendimmarrje dhe aleanca politike. Në reagim vihet theksi edhe te pozita e shqiptarëve në vend, për të cilët thuhet se “janë shënjestër e kësaj politike dhe jo partner i saj”. BDI pretendon se çështje kyçe si Marrëveshja e Ohrit, përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfaqësimi institucional “po vihen sistematikisht në pikëpyetje”.
Opozita kritikon edhe rolin e partnerëve shqiptarë në qeveri, duke theksuar se “grupimi ‘Vlen’, i cili supozohet të përfaqësojë shqiptarët, nuk ka liri të thotë jo”, ndërsa pretendon se “liderët e tij mbahen nën kontroll përmes detyrimit politik”. Në përfundim, BDI kërkon përgjegjësi politike dhe ndryshim kursi. “Një qeveri që ka dëmtuar ekonominë, izoluar vendin, sulmuar shqiptarët dhe shërbyer si avangardë e ndikimit rus nuk ka mandat moral për të vazhduar”, thuhet në reagim, duke shtuar se “qytetarët meritojnë më shumë”.

