Në margjinat e Asamblesë së 152-të të Unionit Ndërparlamentar, që po mbahet nga 15 deri më 19 prill në Stamboll, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar takim me homologun nga Gjeorgjia, Shalva Papuashvili, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, gjatë takimit, të dy kryetarët kanë shprehur kënaqësinë për zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe dhe kanë theksuar gatishmërinë e ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin parlamentar, shkëmbimin e përvojave në zbatimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit.
Siç njoftohet, është theksuar gjithashtu rëndësia e Asamblesë së 67-të të Përgjithshme të PABSEC-ut (Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi) që do të zhvillohet në Tbilisi, si mundësi për dialog të mëtejshëm. Papuashvili i ka bërë ftesë Gashit për të vizituar Tbilisin gjatë asaj periudhe.
Gashi e ka vizituar gjithashtu selinë e PABSEC-ut në metropoloin turk, ku është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm Asaf Haxhiev. Të dy bashkëbiseduesit e kanë konfirmuar përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje aktive në PABSEC. Ata kanë shkëmbyer mendime mbi mundësitë për përfshirje më aktive të parlamenteve kombëtare në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në fushat e lidhjes ekonomike, zhvillimit të infrastrukturës dhe sigurisë energjetike.
Kryeparlamentari Gashi është takuar edhe me kryetarin e Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, Ahmed bin Muhamad Al Xharvan. Gjatë takimit është konfirmuar përkushtimi i të dyja palëve për bashkëpunimin e parashikuar nga Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar në nëntor 2025 në Shkup. Gashi ka theksuar rolin e Maqedonisë së Veriut në promovimin e tolerancës si vlerë e përditshme.
Në njoftim thuhet se të gjitha takimet janë zhvilluar në atmosferë konstruktive dhe miqësore, ndërsa Gashi ka riafirmuar përkushtimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për diplomacinë parlamentare aktive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

