Refuzuan mjekun për “magjistarin”, 13-vjeçari vdes pas kafshimit nga gjarpri…

3 Min. Leximi

Një ngjarje rrëqethëse ka tronditur Indinë, duke nxitur një debat të ashpër mbi pasojat vdekjeprurëse të besëtytnive që vazhdojnë të mbysin logjikën në zonat rurale.

Amit, një nxënës i klasës së katërt nga fshati Pitampur në Uttar Pradesh, humbi jetën tragjikisht pasi familja e tij zgjodhi t’i besonte një “magjistari” në vend të mjekësisë moderne.

Gjithçka nisi të enjten e kaluar, kur Amit u kafshua nga një gjarpër helmues. Ndonëse djali njoftoi menjëherë prindërit, këta të fundit në vend që ta dërgonin me urgjencë në spital për të marrë kundërhelmin, kërkuan ndihmën e një mashtruesi.

Sipas udhëzimeve të këtij “magjistari”, familja e lidhi trupin e Amitit në shkopinj bambuje dhe e mbajti të zhytur në ujin e lumit Ganges për 12 orë rresht. Pretendimi ishte absurd: “uji i bekuar” do të thithte helmin dhe do ta shëronte fëmijën.

Mediat lokale raportojnë se vetëm pasi Amiti humbi ndjenjat dhe trupi i tij nuk po jepte më shenja jete, familja u dorëzua dhe e dërgoi në qendrën shëndetësore. Mjekët deklaruan se djali kishte mbërritur pa jetë dhe se çdo ndërhyrje ishte e kotë.

Dr. Shashank Chaudhary, mjek në qendrën lokale, u shpreh i revoltuar: “Ne kryejmë fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi. Në rastet e kafshimit nga gjarpri, çdo minutë është jetike. Ishte një vdekje plotësisht e parandalueshme”.

Edhe pas konfirmimit të vdekjes, familja, në një gjendje mohimi të thellë, tentoi ta hidhte sërish trupin në lumë, duke shpresuar ende për një mrekulli hyjnore.

Është e vështirë të përtypet fakti që në vitin 2026, kur njerëzimi po eksploron kufijtë e Inteligjencës Artificiale, po dizajnon qytete inteligjente dhe po kuron sëmundje gjenetike, ekzistojnë ende “xhepa” të tillë errësire dhe injorance.

Si mundet që në epokën ku informacioni është vetëm një “klik” larg, një prind të zgjedhë lumin përpara spitalit? Ky akt makabër dëshmon se përparimi teknologjik nuk ecën gjithmonë paralelisht me atë kulturor.

Supersticioni, i rrënjosur thellë në zona të izoluara të botës, krijon një lloj “burgu mendor” ku besimi i verbër mposht instinktin bazë të mbijetesës. Ndërsa bota flet për algoritme dhe robotikë, tragjedia e Amitit të gjorë na kujton se edukimi dhe shkenca nuk kanë mbërritur ende kudo.

Ky nuk është thjesht një aksident, por një krim i nxitur nga injoranca e rrënjosur dhe mungesa e ndëshkimit për ata që predikojnë “mrekulli” në këmbim të jetëve njerëzore. /tesheshi.com/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull