Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, njoftoi se Qeveria ka miratuar Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të funksionimit institucional dhe barazisë në administratë.
Ai theksoi se ky ligj përmbyll një proces të gjatë dhe të strukturuar, i cili ka kaluar në disa faza dhe është harmonizuar edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
“Parimi kushtetues i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ngrihet në nivel të materies ligjore dhe si i tillë bëhet obligativ për të gjitha institucionet shtetërore”, deklaroi Sali.
Sipas tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e mekanizmit të balancuesit, u bë e qartë se nevojitej një zgjidhje e qëndrueshme ligjore.
“Shteti nuk mund të vazhdojë më me zgjidhje të pjesshme apo mekanizma të përkohshëm. Duhej ligj. Dhe sot kemi një ligj të tillë”, u shpreh ai.
Sali nënvizoi se risia kryesore e këtij ligji është se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk mbetet më vetëm një parim i përgjithshëm.
“Për herë të parë, ai bëhet detyrim ligjor për institucionet. Pra, kemi ligj”, tha ai.
Ligji, sipas tij, parashikon edhe mekanizma konkretë për zbatimin, përfshirë krijimin e një trupi koordinues që do të monitorojë dhe garantojë implementimin në praktikë.
“Pa një hallkë të tillë përgjegjësie, çdo ligj rrezikon të mbetet formal”, theksoi Sali.
Ai bëri të ditur se brenda gjashtë muajve nga miratimi, do të bëhet harmonizimi i legjislacionit përkatës dhe miratimi i akteve nënligjore.
“Kjo do të mundësojë që ligji të reflektohet në gjithë sistemin institucional dhe të mos mbetet vetëm në letër”, shtoi ai.
Zëvendëskryeministri theksoi se një nga synimet kryesore është eliminimi i paqartësive dhe keqpërdorimeve të së kaluarës.
“Po vendoset një qasje më e qartë, e kontrollueshme dhe më serioze”, deklaroi ai.
Sali gjithashtu vuri në dukje se ligji është hartuar mbi bazën e standardeve ndërkombëtare.
“Ky ligj e mban vulën e Komisionit të Venedikut. Nuk kemi një tekst të sjellë me ngut, por një zgjidhje që ka kaluar filtër serioz juridik dhe institucional”, u shpreh ai.
Sipas tij, qëllimi kryesor është ndërtimi i një administrate profesionale dhe funksionale për të gjithë qytetarët.
“Administrata duhet të jetë shërbim i vërtetë për të gjithë qytetarët, e ndërtuar mbi dije, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, tha Sali.
Ai shtoi se ligji synon gjithashtu përmirësimin e përfaqësimit të komuniteteve të nënpërfaqësuara, duke theksuar se kriteri kryesor mbetet profesionalizmi.
“Përkatësia etnike mund të merret parasysh vetëm si kriter dytësor, në rast të kualifikimeve të barabarta”, sqaroi ai.
Në fund, Sali bëri të ditur se pas miratimit në Qeveri, ligji do të procedohet në Kuvend.
“Presim debat serioz dhe me përgjegjësi, sepse bëhet fjalë për një çështje që i duhet shtetit”, përfundoi ai.

