Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se procesi i negociatave me Bashkimin Europian vazhdon normalisht, ndërsa hodhi poshtë zërat se ky proces është bllokuar.
Në nisje të podkastit “Flasim”, Kryeministri u ndal te domosdoshmëria e komunikimit me qytetarët në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”.
Duke u ndalur te ecuria e procesit të integrimit, Rama shtoi se “është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë”.
“Ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: ‘ato janë bllokuar’, ‘ato janë ndaluar’, ‘ato janë penguar’, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, u shpreh Rama.
Rama shtoi po ashtu se ka nisur fushata e brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur drejtuesit e organizatave në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga niveli i qendrës së votimit, në nivelin e njësisë administrative dhe në nivelin e bashkisë.
Sipas tij, kjo nuk është vetëm një fushatë e brendshme organizimi dhe energjizimi, por është edhe një fushatë komunikimi me qytetarët.
“Jetojmë në një kohë kur bëhet gjithmonë më e vështirë për të mësuar të vërtetën apo për të marrë informacionin e drejtpërdrejtë lidhur me një fakt që të intereson. E kundërta ndodh! Je menjëherë i përmbytur nga gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, nga gënjeshtra safi, që i thonë fjalë nga sajesa e fabrikime, dhe nga komente gjithfarësh, që në fund të ditës më shumë e mjegullojnë sesa ndihmojnë në kërkimin e të vërtetës. Dhe nuk flitet, nuk komunikohet e nuk diskutohet për punët e Shqipërisë”, tha Rama.
Në të kundërt, Rama tha se “punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre”.
“Shqipëria ka probleme, patjetër. Ne kemi shumë punë për të bërë, pa dyshim; jo çdo punë e kemi bërë si duhet dhe sa duhet, kjo nuk ka diskutim, por ama Shqipëria punon dhe punët e Shqipërisë, në tërësi, janë në vijë”, shtoi ai./atsh

