Për këto gati dy vite në opozitë, BDI nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur, vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet politike, madje edhe shqetësimet e studentëve. Sot, pa asnjë kredibilitet moral, përpiqet të instrumentalizojë edhe një çështje që vetë e ka lënë peng.
E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Njëkohësisht, është për t’u habitur se si gjatë 20 viteve pushtet të BDI-së, kur arsimi u nëpërkëmb dhe shumë padrejtësi mbetën pa zgjidhje, nuk u pa as edhe një protestë. Sidoqoftë, na vjen mirë që sot, me VLEN-in në qeveri, studentët dhe shoqëria në përgjithësi flasin më lirshëm dhe i artikulojnë hapur kërkesat e tyre. Kjo është dëshmi e një klime tjetër politike.
Të diplomuarit në juridik, të cilët synojnë ta japin provimin e jurisprudencës, kanë zhvilluar takime, vërejtjet e tyre janë dëgjuar dhe tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje sistemore.
Në këtë drejtim, ashtu siç kemi thënë disa herë më parë, është formuar një grup pune me ekspertë të fushës, i cili po shqyrton të gjitha aspektet juridike dhe institucionale, me qëllim që kjo çështje të marrë një zgjidhje të drejtë, të zbatueshme dhe afatgjate.
Padrejtësitë që i lanë zvarrë për vite nuk zgjidhen duke derdhur lot krokodili, por me punë, përgjegjësi dhe vendime konkrete.
Ky është dallimi mes nesh dhe tyre. BDI manipulon me problemet që vetë i ka krijuar, ndërsa VLEN punon për t’i zgjidhur ato. Ashtu siç zgjidhëm edhe çështje të tjera që ata i lanë peng, sikurse problemin e medresantëve, edhe këtë çështje do ta zgjidhim.

