Në një atmosferë dhimbjeje dhe respekti, u mbajt mbledhje komemorative për mësimdhënësin e ndjerë Hazbi Topojani (1974–2026), në organizim të SHFK “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me Komunën e Çairit.
Në këtë tubim përkujtimor morën pjesë familjarë, kolegë, miq dhe përfaqësues institucionalë. Fjalë rasti mbajti edhe Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili e kujtoi të ndjerin si një njeri të përkushtuar ndaj arsimit dhe një mik të afërt, duke vlerësuar kontributin e tij në edukimin e brezave.
Drejtoresha e shkollës, Esma Fazlija, nënvizoi rolin dhe përkushtimin e tij në arsim, ndërsa kolegu Xhelal Ramadani ndau kujtime personale nga bashkëpunimi i tyre ndër vite. Nga Komuna e Çairit, Mjellma Gashi theksoi angazhimin e tij institucional, duke veçuar edhe drejtimin e Shkollës për të rritur “Anton Semejnoviq Makarenko”.
Në fund, në një moment tejet emocional, djali i tij, Ermal Topojani, ndau disa fjalë prekëse për babain e tij.
Kujtimi për Hazbi Topojanin do të mbetet i përjetshëm.

