Manchester City e fiton trofeun e parë të edicionit

2 Min. Leximi

Manchester City është fitues i trofeut të parë të edicionit në futbollin anglez.

Skuadra e udhëhequr nga Pep Guardiola e mposhti Arsenalin në finalen e Kupës së Ligës, që u zhvillua në “Wembley” të dielën.
Trofeu i Kupës EFL për “qytetarët” u sigurua me golat që u shënuan në pjesën e dytë nga Nico O’Reilly.

Mesfushori anglez, 21-vjeçari O’Reilly, realizoi në minutën e 60-të fillimisht, e më pas edhe katër minuta më vonë, me asistim të Matheus Nunesit.

Për Cityn është trofeu i tetë i Kupës së Ligës, dhe i pari që prej edicionit 2020/21.

Prej tetë trofeve të Kupës EFL, pesë prej tyre City i fitoi me Guardiolan. Tekniku spanjoll bëhet i pari që e fiton këtë garë pesë herë. Ai me Manchester Cityn i ka fituar 15 trofe madhor në total.

Ndërkohë, Arsenali vazhdon ta kërkojë trofeun e parë të ndonjë gare madhore që prej vitit 2020.

Arsenali dhe City tani do ta vazhdojnë garën e fortë edhe në Premier League.

“Topçinjtë” e kryesojnë renditjen tabelore me 70 pikë, nëntë më shumë se City që e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Më 19 prill, City luan ndaj Arsenalit sërish, por në kuadër të xhiros së 33-të të Premier Leagues.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull