Sonte do të kompletohet çerekfinalja e Ligës së Kampionëve.
Bayern Munichu dhe Atletico Madridi do të mundohen ta konfirmojnë kualifikimin pas fitoreve bindëse në përballjet e para respektive në të tetën e finales.
Gjiganti bavarez e mposhti Atalantan në Itali me rezultat 6:1 javën e kaluar.
Prandaj, kampionët gjermanë sonte në “Allianz Arena” do të luajnë më shumë për prestigj kundër Berat Gjimshitit me shokë.
Ekipi nga Bergamo nuk ka shpresa, por do të shkojë në Gjermani për të mos u koritur si në lojën e parë.
Sipas të gjitha gjasave, do ta shohim një përballje të zjarrtë çerekfinale të Championsit mes Bayernit dhe Real Madridit.
Punët mirë i ka edhe Atletico Madridi, i cili e mundi bindshëm Tottenhamin 5:0 në “Metropolitano” javën e kaluar.
Andaj, “Los Colchoneros” kanë shkuar në Angli për ta prerë biletën e çerekfinales sonte.
Nga ana tjetër, Spurs po e kalojnë një sezon të rëndë, por do ta kërkojnë mrekullinë ndaj ekipit të Diego Simeones.
Duel i zjarrtë pritet të jetë ai mes Liverpoolit dhe Galatasarayt.
Turqit e fituan përballjen e parë në Stamboll me rezultat 1:0 dhe në “Anfield Road” synojnë ta ruajnë këtë epërsi minimale.
Megjithatë, ata përballë e kanë gjigantin anglez, i cili është i uritur për ta përmbysur rezultatin.
Pra, kjo mund të jetë njëra prej ndeshjeve më interesante të natës.
Këto tri ndeshje do të nisin prej orës 21:00.
Ndërsa sfida mes Barcelonës dhe Newcastlet do të nisë më herët, prej orës 18:45.
Loja e parë në Angli kishte përfunduar baras, 1:1, ndërsa në “Camp Nou” të dyja skuadrat do ta kërkojnë kualifikimin.
Natyrisht, gjiganti katalunas është favorit për të ecur tutje.

