Edi Rama: Nuk kam ndërhyrë kurrë në politikën e Kosovës, tentativat e tyre në Shqipëri ishin qesharake

3 Min. Leximi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar prerë se nuk ka mbajtur asnjëherë pozicion ndërhyrës në skenën politike të Kosovës.

Gjatë episodit të radhës në podkastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se respektimi i punëve të brendshme të Kosovës ka qenë parim i tij, ndërsa ka ironizuar përpjekjet e politikanëve kosovarë për të ndikuar në Shqipëri.

“Unë s’kam fare pozicion atje në Kosovë. Unë s’kam dashur kurrë të ndërhyj në punët e tyre. Më është dukur qesharake kur kanë tentuar të ndërhyjnë këtu”, tha Rama, duke shtuar se sipas tij, këto tentativa kanë pushuar pasi palët “e morën mësimin”, tha Kurti.

Gjatë bisedës me profesor Arjan Gjonçaj, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se përtej raporteve politike, primare mbetet nevoja për të qenë të drejtë dhe autentikë në qëndrimet kombëtare.

Në këtë podcast, Rama foli edhe për mbështetjen financiare për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Gjatë bisedës, profesori Gjonçaj shprehu habinë për atë që e cilësoi si mungesë të përkrahjes financiare nga institucionet e Kosovës për specialistët dhe ekspertët që nevojiten në mbrojtjen e të akuzuarve.

Rama tha se kishte biseduar për këtë çështje me njerëz të ndryshëm, por nuk e kishte trajtuar drejtpërdrejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se ka pasur frikë që po ua rëndon pozicionin.

“Unë nuk e kam diskutuar këtë gjë nga afër me kryeministrin, me Albinin, por unë besoj që kjo nuk është, në këtë pikë nuk mund të them se e ka bërë këtë gjë ose se nuk e ka bërë këtë gjë për arsye politike. Unë besoj që ai ka pasur frikë ta bëjë këtë gjë për të mos rënduar pozicionin e tyre, sepse pozicioni i tij në raport me BE-në, në raport me SHBA-të nuk është një pozicion komod”, tha Rama.

“Nuk e di sa kanë dhënë, me siguri kanë dhënë më shumë se ne me siguri. Ne kemi ndihmuar më shumë me sensibilizim. Besoj që ai nuk ka dashur të ekspozohet si person që po rrotullon thikën ndaj sistemit ndërkombëtar, ndërkohë që ka qenë haptazi kundër atij tribunali”, tha Rama.

“Unë besoj që kjo mosmbështetja nga ana e Albinit ka qenë një çështje mosekspozimi”, tha Rama.

Raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit nuk kanë qenë gjithmonë më të mirat, madje edhe me përplasje në distancë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull