Kryeministri Hristijan Mickoski tha se për momentin nuk shqyrtohet mundësia që qeveria të shpallë gjendje krize për shkak të rritjes së çmimit të naftës, si pasojë e luftës Iran- SHBA/Izrael, përcjell TV21. Mickoski tha se pavarësisht rritjes së djeshme prej gati 15 denarëve për litër, Maqedonia e Veriut ka sërish naftën më të lirë në rajon.
“Për momentin nuk shohim nevojë për shpallje të gjendjes së krizës, pikërisht për shkak të këtyre argumenteve që tashmë fola. Presim presion edhe në periudhën që vijon, por kemi mjaftueshëm sasi, flasim edhe me shpërndarësit, edhe me kompanitë që furnizojnë qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë me naftë dhe derivate të naftës, për momentin nuk ka rrezik për çfarëdo mungese, kështu që ne si qeveri vazhdojmë të përcjellim situatën. Ndoshta lajm i mirë është se mëngjesin e sotëm, nga ajo që pash, edhe Brenti edhe produktet e tjera në tregjet botërore janë në rënie. Dje arriti pikun në 120 dollarë për barel, sot tregtohet për 90 dollarë për barel, kështu që e ndjekim të gjithë gjendjen me kujdes, por varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, ashtu do të reagojmë. Gjatë mëngjesit të sotëm do të kem takim me rrjetet e marketeve, dua me ta të flas, të mos shfrytëzohet ky presion që menjëherë të rriten çmimet dhe presioni të përcillet te shporta e konsumit e qytetarëve, që mos të ndërmarrim ne si qeveri masa të tjera ofansive”, tha Mikcoski.
Mickoski: Maqedonia ka çmimin më të ulët të naftës! Nuk do të shpallim gjendje krize, marketet të mos rrisin çmimet

Ndani këtë artikull
